Opozita protestoi për herë të 11-të ditën e sotme përpara bashkisë duke kërkuar dorëheqjen e Erion Veliajt. Nuk munguan djegiet e gomave dhe incidentet.
“Këtë javë, hajduti më i pasur në bashkinë e Tiranës, gjobaxhiu Nr. 1 i bashkisë së Tiranës, Arli Naska, ish-drejtor i Tatimeve në bashkinë Tiranë, aktualisht drejtor në Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit, merr kurajën me një akt të turpshëm të gjobisë Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe avokaten e Aleancës, Adriana Kalaja.
Dhe për çfarë?! Se qenka prishur godina e fasadës së hajdutit që quhet Erion Veliaj! Janë shqetësuar dhe kanë vendosur një gjobë 300 mijë lekë ndaj Aleancës dhe nuk shqetësohet Arli Naska dhe Erion Veliaj se janë vjedhur 132 milionë euro te inceneratori i Tiranës dhe të paktën, përmes 45 tenderave, 30 milionë euro me bandën 5D” tha ai.
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak, njëkohësisht edhe këshilltari ekonomik i PD, Dorian Teliti u shpreh se demokratët dhe shqiptarët nuk pranojnë instalimin e diktaturës. “Në këtë protestë të 11 ne kemi treguar diçka, që ne nuk dorëzohemi. Nuk dorëzohemi as para gardheve policore, as ndaj presioneve, as nga skafandrat që po afrohen tani, as nga dyqanet mediatike të blera” tha ai.