Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur i bindur se opozita do të fitojë shumicën e bashkive të vendit në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e kryesisë, Meta tha se Partia e Lirisë do të jetë një forcë kryesore në fitoren e opozitës. Më tej ai ka përmendur edhe protestën e 3 marsit ku thekson se sëbashku me PD-në dhe qytetarët duhet të japin mesazhin e qartë për të shporrur qeverinë aktuale.
“Më 3 mars, sëbashku me PD-në dhe gjithë qytetarët shqiptarë të themi fjalën tonë të fortë në mbrojtje të lirisë dhe të japim mesazhin e qartë të shporrjes së kësaj bande sa më parë. Edhe të japim njëherë e përgjithmonë fund këtij tranzicioni tejet të lodhshëm dhe rraskapitës. Besoj se angazhimi i PL-së është një angazhim i spikatur dhe vendimtar e historik, pa asnjë diskutim do jetë forcë kryesore për fitoren e opozitës. Jemi të bindur në fitoren e shumicës së bashkive. Përfaqësimi i PL-së do jetë i jashtëzakonshëm dhe do jetë garantë që këto këshilla do jenë vende ku do flasin vetë qytetarët”, tha Meta.