Protesta e 6 dhjetorit, Boçi: Qeveria po krijon një artificë për të goditur opozitën

Nënkryetari i PD dhe deputeti Luçiano Boçi ka folur në lidhje me protestën e paralajmëruar të opozitës më datë 6 dhjetor, datë në të cilin në Tiranë do të mbahet Samiti i BE-Ballkani Perëndimor.

Pas kërkesës së PD për organizimin e kësaj proteste, policia dhe Bashkia e Tiranës kanë reaguar, duke thënë se kjo protestë nuk mund të mbahet para kryeministrisë, për shkak të perimetrit të sigurisë me ambientin ku do të zhvillohet ky Samit, në Pallatin e Kongreseve.

I ftuar në emisionin ‘Open’, Boçi tha se PD ka vendosur e para për vendin ku do të zhvillohet protesta, ndërsa vendimi për vendin e mbajtjes së Samiti, është marrë më vonë, ndërsa shtoi se qeveria po krijon një artificë për të goditur si pjesë e propagandës, aksionin e opozitës. Ai thekson se është e drejtë kushtetuese e opozitës për mbajtjen e kësaj proteste, duke thënë se nuk cënon aspak perimetrin e sigurisë.

“Çështja e dhënies së opinioneve nga bashkia, nuk besoj se ka kompetencë për të ndërhyrë në raste të protestës së opozitës. Çështja e reagimit të policisë apo këmbënguljes sonë nuk ka pasur vendim për vendin e zhvillimit të samitit dhe ka qenë vendim i mëpasshëm. Largësia e pallatit të Kongreseve është optimale në raport me kryeministrisë. Ndoshta policia e ekzagjeron, dihet që samitet duan masa të rrepta, por nga konfigurimi i shesheve, janë të mjaftueshme që të mos krijohet ky ngërç për vendin e tubimit, aq më tepër që tubimet e opozitës janë paqësore. Duhet të zhvillohen aty ku qytetari kërkon të shprehë protestën e tij. Vendi i zhvillimit, në të gjitha rastet, pjesa e protestës zhvillohet afër perimetrit të zhvillimit të samitit, që mesazhet e qytetarëve të ndikojë tek samiti.

Protesta duhet parë në dy anë, ka karakter zemërimi kundër qeverisë, sikurse karakter festiv nga ardhjes së liderëve europian. Duam që ky samit të ketë ndjeshmëri në raport me zhvillimet e brendshme. Shqipëria i ka kapacitetet të bëjë protesta. Përgjegjësinë e sigurisë nuk e kanë qytetarët, por institucionet. Ato parashikojnë çdo lloj reagimi. Klasik për t’u bërë samitet është dhe Pallati i Brigadave, dhe jo ai i Kongreseve. Ai që ka përgjegjësinë di të bëjë dhe ndryshimet, dhe organizimet. Nuk është i vetmi vend i përcaktuar ‘ja këtu, ja bjer dhe vdis’. Mund të ishte dhe koincidencë protesta jonë. Kush ka përgjegjësinë, ka dhe zgjidhet. Qeveria po krijon një artificë për të goditur si pjesë e propagandës, aksionin e opozitës. Jemi në stinë protestash. Mund të bënim në 6 apo 7”, tha ai.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *