Protesta e dhunshme në PD/ Prokuroria e Tiranës: Vijojnë hetimet! 4 akuzat e ngritura

Prokuroria e Tiranës ka bërë me dije se po vijon hetimet në lidhje me protestën që u regjistrua ditën e shtunë në selinë e Partisë Demokratike. Protesta në fjalë, u thirr nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Në një njoftim zyrtar, prokuroria ka ngritur 4 akuza në lidhje me këtë ngjarje.

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TIRANË
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po kryen hetime për çështjen penale me Nr. 182 të vitit 2022, për ngjarjen e datës 08.01.2022, të ndodhur në selinë e Partisë Demokratike.Nga veprimet e para hetimore të kryera rezultojnë të jenë arrestuar 34 persona, të dyshuar për vepra penale të ndryshme si “Shkatërrim prone” sipas nenit 150 të Kodit Penal, “Prishja e qetësisë publike” sipas nenit 274 i Kodit Penal, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” sipas nenit 282 te Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” sipas nenit 278 i Kodit Penal dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” sipas nenit 279 i Kodit Penal. Po kryhen veprimet e duhura në drejtim të individualizimit të veprimeve të kryera nga secili prej personave të arrestuar dhe personave të tjerë të përfshirë në veprime në kundërshtim me ligjin.

Nga hetimet e deritanishme rezulton të jenë ngritur si pista hetimi:
– dhuna e ushtruar nga protestuesit në drejtim të selisë së PD-së dhe pasojat e ardhura si shkatërrim prone,
– përdorimi i lëndëve të panjohura në drejtim të protestuesve para ndërhyrjes së policisë dhe dhuna e ushtruar në drejtim të tyre,
– mbajtja e sendeve të ndryshme të paligjshme dhe individualizimi i autorëve,
– si dhe çdo e dhënë tjetër e pretenduar deri në këtë fazë.

Hetimet vijojnë në mënyrë intesive në drejtim të marrjes së të dhënave me vlerë hetimore. Po kryhen të gjitha veprimet si:
– sekuestrimet e pamjeve filmike në të gjitha ambientet me vlerë hetimore,
– marrja në pyetje e të gjithë personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes,
– si dhe çdo lloj veprimi tjetër që do dalë i nevojshëm nga dinamika në vijim.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është e angazhuar maksimalisht për kryerjen e hetimeve me objektivitet si në çdo rast, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të çdo personi që ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin.

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TIRANË

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *