Ambasada e SHBA ka njoftuar qytetarët e saj në Shqipëri në lidhje me protestën që opozita ka thirrur ditën e sotme para kryeministrisë.
Në një njoftim në faqen e saj zyrtare, ambasada thekson se kjo protestë ka mundësi të përhapet edhe në rrugët rreth kryeministrisë.
Ambasada këshillon qytetarët e saj të shmangin tubimin pasi situata mund të ndryshojë shpejt dhe mënyrë të paparashikueshme.
“Një protestë është planifikuar të zhvillohet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, përballë Kryeministrisë. Kjo protestë ka potencialin të përhapet në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve.
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit”, thuhet në njoftimin e ambasadës.