Partia Demokratike po zhvillon protestën e parë në Elbasan në kuadër të rritjes së çmimeve të karburantit.
Pjesmarrës në këtë protestë është edhe nënkryetari i PD, Luçiano Boçi. Me anë të një dalje për media, Boçi tha se shkak i kësaj proteste nuk është vetëm rritja e çmimeve të karburantit, por është edhe rritja e pasigurisë në vend.
Më tej ai shtoi se rritja e çmimit të nafës është vjedhje e hapur, duke theksuar se qeverisë i duhen paratë pasi ka përpara një fushatë zgjedhore dhe i nevojiten miliona euro për të blerë vota dhe për të organizuar fushatën.
“Nuk është vetëm rritja e çmimit të naftës, është rritur pasiguria dhe shpopullimi. Të parët sot janë qytetarët e Elbasanit, janë të revoltuar ndaj padrejtësisë. Nuk është vetëm abuzim, por është vjedhje e hapur rritja e çmimit të naftës. Shihet qartë që qeveria ka nevojë për para abuzive, ua rrëmben qytetarëve përmes këtyre formave siç është rritja e karburanteve që depoziton miliona euro në arkën e shtetit nëpërmjet TVSH-së. Nuk ka ndihma për pensionistët e studentët dhe ka çmimet më të larta të karburanteve. Jo vetëm në raport me pagën, por çmimi është më i larti në rajon. Kur shikon që çmimet në bursë bien dhe në vend ngrihen rritet revolta. Ka një fushatë zgjedhore përpara dhe i duhen miliona euro për të blerë vota dhe për të organizuar fushatat. I bëj thirrje qytetarëve të na bashkohen pasi nuk ka më kohë për të humbur, kjo revoltë është e domosdoshme. Jemi të gatshëm si PD të jemi pranë qytetarëve, t’i mbrojmë ndaj abuzimeve jo vetëm ekonomike por edhe policore. Sot ishim dëshmitarë të bllokimit të aksit kryesor nga policia që të duket sikur protesta të mos kishte funksionuar”, u shpreh Luçiano Boçi.