Deputeti i PD, Belind Këlliçi ka dalë këtë të enjte në një deklaratë për mediat në lidhje me protestën që do të mbahet vetëm disa orë më vonë.
Këlliçi tha se qytetarët janë kërcënuar e ndaluar nga administrata e kryeministrit Edi Rama, për të mos marrë pjesë në protestë. Sakaq i bërri thirrje qytetarëve që të bashkohen, pasi PD është në krah tyre.
“Qytetarë nga e gjithë Shqipëria, nga veriu në jug, na kanë dërguar sot mesazhe, duke na siguruar për masivitetin e protestës. Informacionet tona në rrugë partiake dhe jopartiake, na bëjnë me dije se administrata e Edi Ramës është vënë në lëvizje për të penguar valën e madhe shoqërore që do të zbresë sot në Tiranë. Mësuesit janë urdhëruar të jenë në punë, edhe pse sezoni shkollor ka mbaruar. Aktorëve u janë shpikur prova në Teatër, në mënyrë që zëri i tyre të mos gjëmojë në protestën e Frontit për Shpëtimin Kombëtar; dyert e kryeministrisë janë blinduar.
As demokratët dhe as shoqërinë, nuk i ndal asnjë blindë, siç është provuar nga vitet ‘90 e këtej. Partia Demokratike u bën thirrje qytetarëve të mos tremben nga skenarët fake të qeverisë dhe as nga blindatat. Ne dalim sot për të dëshmuar se opozita e këtij vendi ekziston, se ajo është e bashkuar me shoqërinë, se ajo është gati për të mbrojtur interesat e qytetarit. Opozitës së kapur nga pushteti i ka ardhur fundi. I bëjmë thirrje shqiptarëve, fermerëve, mësuesve, profesionistëve, të rinjve, të papunëve, të na bashkohen sot para Kryeministrisë”, tha ai.