Banorët e Krastës bllokuan mëngjesin e sotëm aksin rrugor Elbasan-Librazhd. Shkak është bërë bllokimi i hyrjes në rrugën në Unazën Jugore, pranë zonës ku ata jetojnë prej 30 vitesh. Qytetarët janë organizuar dhe kanë qëndruar për 30 minuta rreth zonës ku janë vendosur barrierat, duke i shkatërruar këto të fundit.
Qytetarët e lagjes “Emin Matraxhiu” kërkojnë një zgjidhje alternative pasi për të arritur në Elbasan duhet përshkrojnë 4 km rrugë në këmbë. Protestuesit shprehen se rruga që është bllokuar është e vetmja që bën të mundur qarkullimin e mjeteve me lagjen e tyre.
Pranë tyre mbërriti dhe shefi i rendit i Elbasanit, Armando Muça, i cili u kërkoi që të largohen nga rruga dhe të dalin në atë kryesore, ndryshe do të procedoheshin penalisht.
Banorët: Ne nuk kemi rrugë tjetër kalimi
Muca: Nuk mund ta bllokoni pasi do të procedoheni penalisht, nuk është bllokim rruge, janë marrë masa. A mund të dilni të gjithë te rruga kryesore ju lutem.
Tashmë banorëve të Krastës iu duhet të ndjekin një rrugë devijuese, që do t’u merrte shumë kohë sidomos për këmbësorët.
Për të dalë nga tuneli e për të kaluar rrugën, këmbësoreve u mbetet vetëm të shohin me kujdes e të luten të mos u ndodhi gjë, pasi në rrugë nuk ka asnjë sinjalistikë. Nuk janë të pakta rastet kur përpjekja për të kaluar rrugën ka përfunduar në aksident. Një vit më parë, një 20-vjeçare u përplas për vdekje nga një mjet tip “Volkswagen”, teksa po kalonte rrugën me motrën e saj.
/Priza.al/