Analistët që studiojnë regjimet demokratike dhe ato autoritare po i ndjekin me shumë vëmendje protestat e fundit në Iran, Kinë dhe Rusi. Sipas tyre, këto tre vende kanë regjime të forta autoritare dhe për rrëzimin e tyre, do të nevojitej ndërthurja e një sërë rrethanash.
Me dhjetëra mijëra vetë dolën në rrugë në Iran, për të protestuar mbi vdekjen në paraburgim të 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila ishte ndaluar nga e ashtuquajtura polici e moralit.
“Ngjarja krijoi shqetësim real në mbarë Iranin, sepse të gjithë panë potencialin e përfshirjes nën të njëjtat rrethanë të vajzës, gruas apo motrës së tyre”, thotë Natasha Hall, e cila punon për programin për Lindjen e Mesme në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Kina u përfshi gjithashtu nga protesta masive që u shoqëruan me thirrjet për largim të udhëheqësit Xi Jinping.
“Ata nisën një reagim të furishëm kundër kufizime të ashpra lidhur me pandeminë, si pasojë e cilave me dhjetëra milionë, e në disa raste qindra miliona kinezë, “u burgosën” brenda shtëpive të tyre”, thotë Larry Diamond, ekspert mbi çështje të demokracisë në universitetin Stanford.
Protestat në Rusi kane qenë më të heshtura thonë ekspertët. Megjithatë disa mijëra vetë dolën në rrugë në vitin 2021 pas burgosjes së Alexey Navalny-t, kundërshtarit të presidentit rus Vladimir Putin.
Sulmi i Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt të këtij viti u bë gjithashtu shkak për protesta.
“Protesta domethënese u shfaqën menjëherë pas sulmit dhe sërish nga fundi i verës, kur Rusia njoftoi se do të mobilizonte një numër më të madh njerëzish për të shkuar në luftë në Ukrainë”, thotë Graeme Robertson, analist politik në Universitetin e Karolinës së Veriut.
Ekspertët thonë se protestuesit në Iran, Kinë dhe Rusi arritën që t’i nxisin regjimet që të bëjnë lëshime në politika, sikurse në rastin e Kinës, që u detyrua të lehtësojë kufizimet e lidhura me COVID-19, pas protestave masive publike.
Por çfarë do të nevojitej që këto protesta të arrinin të përmbysnin regjimet autoritare?
Një përçarje e elitës në krye të Rusisë mund ta dobësonte Vladimir Putinin, thonë ekspertët.
“Nëse ata mendojnë se kanë një të ardhme pasi të jetë larguar udhëheqësi kryesor, atëherë ndoshta në një moment ata do të mundoheshin të bënin aleancë me protestues të mundshëm, duke ua bërë të qartë se nuk janë kundër tyre. Ndoshta kjo do të inkurajonte më shumë njerëz për të dalë në rrugë”, thotë Graeme Robertson, analist politik në universitetin e Karolinës së Veriut.
Ekspertët i shohin si pozitive protestat e mëdha të zhvilluara në të gjithë Iranin, por vënë në dukje se forcat që garantojnë sigurinë e regjimit, nuk kanë mbajtur anën e protestuesve.
“Po kështu, ky revolucion duhet të ketë një lloj udhëheqësi, një lloj faktori bashkues, për atë çka do të ndodhte pas rënies së regjimit, si dhe për t’u dhënë gjithashtu përfaqësuesve të regjimit, një rrugëdalje”, thotë zonja Hall.
Ekspertët thonë se protestat kanë më shumë gjasa të jenë të suksesshme nëse vendi ndodhet në krizë ekonomike, apo nëse protestuesit ndryshojnë taktika dhe i vazhdojnë përpjekjet, potencialisht për vite me rradhë. Ata shtojnë se protestat nuk duhet të jenë të dhunshme dhe se protestuesit duhet të jenë më të mirë në përdorimin e teknologjisë sesa përfaqësuesit e regjimit.
“Shumë më shumë njerëz, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, do të ishin të gatshëm të mbështesnin një lëvizje jo të dhunshme” thotë zoti Miller.
Ekspertët thonë se protestat nxisin shpresë edhe pse ata nuk presion që ato t’i rrëzojnë regjimet.
“Mendoj se arsyeja për shpresë ndodhet tek mesazhi që dërgohet, se këtyre regjimeve u mungon mbështetja e gjerë apo e sigurt publike”, thotë zoti Diamond.
Me fashitjen e mbështetjes publike, thonë ekspertët, venitet edhe legjitimiteti i një regjimi./VOA