Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që t’i largojë serbët nga barrikadat e vendosura në veri të vendit.
Në një konferencë për media, kreu i AAK-së ka thënë se barrikadat nuk e ndihmojnë dialogun dhe se sipas tij, ato janë vetëm interes i presidentit rus, Vladimir Putin.
Ai ka shtuar se deklarimet dhe veprimet e pamatura të kryeministrit Albin Kurti dhe të njerëzve të tij, veç sa e kanë komplikuar situatën.
Haradinaj ka kërkuar nga serbët e Kosovës të mos bien pre e kalkulimeve politike të Vuçiqit dhe të askujt tjetër.
Sipas tij, s’mund t’i vendosen kurrfarë afatesh KFOR-it, ngase misioni i tyre është i qartë dhe i pastër si loti.
“Situata në veri të Kosovë po bëhet gjithnjë e më serioze dhe më e komplikuar. Platforma luftënxitëse e Vuçiqit dhe njerëzve të tij të instaluar në veri, po i kalon vijat e kuqe. Ai duhet urgjentisht t’i tërheq njerëzit e tij nga veriu dhe urdhërojë heqjen e barrikadave e t’i kthehet tryezës së bisedimeve. Ai nuk mund ta sfidojë Kosovën e përcaktuar për paqe. Logjika që me mjete ushtarake të krijohet pozicion më i fortë për marrëveshjen për njohje të ndërsjellë në raport me Kosovën, është kapitull që është mbyllur në vitin 1999”, tha Haradinaj.