Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij para protestuesve të mbledhur përballë kryeministrisë.
Gjatë fjalës së tij në podium, Berisha tha se ky është një cunam popullor i revolucionit demokratik, për të cilin tha se do bëjnë çdo sakrificë që të triumfojë.
Më tej, Berisha deklaroi se Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në vend dhe se ka vjedhur votat e pasuritë publike të shqiptarëve. Ai u shpreh se sot Shqipëria është në të gjitha mediat botërore për skandalin e McGonigal, falë kryeministrit Rama.
“Të nderuar të pranishëm në këtë cunam popullor të revolucionit demokratik. Shqiptarë dhe shqiptare, kudo që jeni, që keni pritur me padurim këtë ditë, ditën e madhe të siparit të revolucionit demokratik, të përmbysjes së monizmit të dytë në Shqipëri. Miqtë e mi, do e nis fjalën time me një shprehje të të famshmit, Xhorxh Oruell, i cili shkruan se është “Akt revolucionar të thuash të vërtetën në kohë gënjeshtre”. Ndaj dhe sot, ditën e siparit të revolucionit tonë demokratik, për përmbysjen e monizmit dhe fitores së demokracisë, do themi të vërtetat tona. Qëllimi më themelor i këtij revolucioni që nis sot është të mbrojmë të vërtetat, por edhe të bëjmë çdo sakrificë që ato të triumfojnë.
Rroftë fitorja! Edi Rama është kryeministri më i korruptuar në Evropë, është narkokrati që duke vjedhur votën, buxhetin dhe pasuritë publike të shqiptarëve, është shndërruar në shpresëvrasësin më të madh në Evropë dhe një nga shpresëvrasësit më të mëdhenj në botë. Të gjithë e mbajnë mend baltën që hodhi Edi Rama mbi Opozitën, për ta vrarë atë. Të gjithë i mbajnë mend masat që ka marrë për të mos zhvilluar protesta. Atentatin që organizoi, por ai mori turpin botëror, zëri ynë ushtoi në të gjithë botën. E vërteta kurrë nuk mbulohet dot, e vërteta triumfon gjithmonë, si rrezja e diellit e bëhet gjithmonë më ndriçuese në Shqipëri, por edhe tek miqtë tanë kudo në botë. Sot mediat e të gjithë botës flasin për ne, mbajnë në faqe të para skandalin më të madh korruptiv të këtij shekulli”, u shpreh Berisha.