3 inspektorë të IMT-së në Elbasan kanë kryer inspektime në zonën ku po ndërtohet ujësjellësi nga firma “Salillari”, ku kanë identifikuar edhe shkeljet e gjetura. Klajdi Merxhani, Aranit Çela dhe Ardian Lufo kanë mbajtur një procesverbal pas inspektimeve të bëra më datë 5 gusht, ku edhe kanë shkruar e zeza mbi të bardhë kundravajtjet ligjore.
Sipas inspektorëve janë konstatuar kundravajtjet: marrja pa leje administrative e ujit, mospajisje me autorizim, veprimtari që kryhen në kundërshtim të mbrojtjes së brigjeve dhe ndërtimin e objekteve për shfrytëzimin e burimeve.
Edhe pse shkeljet e konstatuara parashikojnë marrjen e vendimit për prishjen e punimeve të kryera deri më tani në zonën e burimit të Sinecit, firma “Salillari” rrezikon edhe gjobë. Kompania mund të ndëshkohet me shumën 650 milion lekë (të vjetra), megjithatë pritet të merret vendimi nga kryeinspektoriati.
Kanioni i Sinecit i njohur edhe si Kanioni i Saraselit, ndodhet pranë fshatit të Saraselit të komunës së Sultit. Në dhjetor 2002, ai u shpall me vendim qeverie monument natyre, për shkak të shumëllojshmërisë së bimëve e specieve të ndryshme.
/Priza.al/