Një efektiv policie ka mbetur i lënduar lehtë në protestën e mbajtur sot nga Opozita.
Mësohet se efektivi është lënduar nga tymueset e hedhura sot nga protestuesit. Ai ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe është dërguar në shtëpi.
Kujtojmë se opozita ka mbajtur një protestë ditën e sotme e cila ka zgjatur për rreth dy orë. Protestuesit u grumbulluan fillimisht para selisë blu dhe më pas me shtimin e tyre kanë zbritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me në krye kreun e PD-së Sali Berisha. Nga podiumi, Berisha paralajmëroi revolucion dhe kërkoi që ndërkombëtarët të hetojnë të gjitha nismat e qeverisë për të zhdukur Opozitën. Ai i kërkoi Ramës që të dorëhiqej nga posti. Protesta u mbyll pas gati 2 orësh dhe kryedemokrati bëri një marshim në institucionet kryesore si Ministria e Brendshme, Bashkia Tiranë dhe Selia e PS-së. Në përfundim, Berisha tha se të hënën do të ketë sërish protestë.