Protestuesit anti-qeveritar në Iran kanë festuar eliminimin e ekipit të tyre kombëtar në futboll nga Kupa e Botës, pas humbjes që pësoi Irani nga Shtetet e Bashkuara.
Në videot e postuara në rrjetet sociale janë shfaqur qytetarë duke vallëzuar në rrugë dhe duke i rënë borive të makinave në Teheran dhe në qytete të tjera të martën mbrëma.
Protestuesit në Iran kanë djegur banerin e vendosur për kombëtaren e tyre në futboll. Shumë iranianë kanë refuzuar që të mbështesin ekipin e tyre të futbollit në kampionatin që po mbahet në Katar, pasi e shohin atë si përfaqësim të Republikës Islamike.
Mediat e afërta me pushtetin kanë fajësuar forcat armike brenda dhe jashtë Iranit se u kanë bërë presion të padrejtë lojtarëve.
Lojtarët e Iranit nuk kënduan himnin kombëtar gjatë ndeshjes së parë, ku u mposhtën 6:2 nga Anglia. Moskëndimi i himnit duket se ishte shprehje e solidaritetit me protestuesit. Por, në ndeshjen pasuese me Uellsin, që e fituan 2:0, ata kënduan himnin kombëtar.
Disa protestues e panë këtë si tradhti ndaj kauzës së tyre edhe pse kishte raportime se lojtarët kishin qenë nën presion nga autoritetet iraniane. Në Iran ka trazira për 10 javë rresht, që nga vdekja në paraburgim e Mahsa Aminit, 22-vjeçares që u arrestua në Teheran nga policia e moralit nën akuza për shkelje të rregullave të hixhabit.
Në videot e postuara të martën mbrëma u panë protestuesit duke festuar humbjen e Iranit ndaj SHBA-së me rezultat 1:0, në një shesh në Saqez, vendlindjen e Mahsa Aminit. Protestuesit u panë duke valëvitur shamitë e kokës dhe duke hedhur fishekzjarrë.
Autoritetet iraniane kanë fajësuar “forcat e huaja” për mbështetjen e protestave anti-qeveritare në Iran dhe i kanë shtypur ato me forcë. Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë thënë se deri më tani, të pakën 450 persona janë vrarë në protesta, përfshirë 60 fëmijë. Ndërkaq, mbi 18.000 të tjerë raportohet se janë arrestuar.