Prova dhe 20 sekondat e fundit të jetës! Lëvizjet e atentatorit të Trump

Autoritetet amerikane kanë zbardhur itinerarin e 20-vjeçarit Thomas Matthew Crooks 48 orë përpara se të qëllonte me snajper ish-Presidentin amerikan Donald Trump duke e lënë të plagosur lehtë.

Lëvizjet e tij ishin rreth qytetit Pittsburgh. Të premten, ai shkoi në një poligon ku ishte i regjistruar dhe bëri qitje me armë, raporton CNN. Të nesërmen në mëngjes shkoi në një dyqan ku bleu një shkallë. Më pas ndaloi në një dyqan armësh, ku bleu 50 fishekë.

Prej andej udhëtoi me makinën e tij Hyundai Sonata për rreth 1 orë në veri të vendit duke u bashkuar me turmën e njerëzve që morën pjesë në tubimin elektoral të Donald Trump në Butler të Pensilvanisë.

Ai e parkoi automjetin jashtë zonës së tubimit, ku në bagazh kishte vendosur eksplozivë të lidhur me detonator që e mbante me vete.

Më pas, thonë hetuesit, përdori shkallën që kishte blerë për t’u ngjitur në tarracën e ndërtesës rreth 200 metra larg podiumit ku fliste Trump, nga dhe hapi zjarr.

Ai qëlloi disa herë me snajper dhe një plumb e kapi në vesh ish-Presidentin Trump. Një ish-shef i zjarrfikëses humbi jetën si pasojë e të shtënave, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë.

Sekonda më vonë, 20-vjeçari u ekzekutua nga snajperistët e Shërbimit Sekret. Arma që autori përdori ishte me leje e regjistruar në emër të babait të tij.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *