Policia e Kosovës ka raportuar për një tjetër provokim nga Serbia. Rreth orës 18:20, pranë stacionit policor kufitar në Merdar, në anën serbe, është parë një makinë e tipit Land Rover me targa serbe, e cila dyshohet të ishte në pronësi të xhandarmërisë serbe.
Sipas Policisë së Kosovës, brenda saj gjendeshin katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe, të cilët qëndruan për rreth 10 minuta pranë hyrjes së objektit të palës serbe. “Pasi qëndruan në këtë zonë, pjesëtarët e xhandarmërisë serbe u larguan duke shkelur vijën ndarëse kufitare, një veprim që përbën shkelje të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM)”, njofton policia.
Policia e Kosovës ka kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare që të ndërhyjnë dhe të ndërmarrin masa të nevojshme për të ruajtur stabilitetin dhe për të siguruar respektimin e marrëveshjeve që lidhen me menaxhimin e integruar të kufirit dhe sigurinë.
Në funksion të ruajtjes së qetësisë dhe stabilitetit, Policia e Kosovës theksoi përkushtimin e saj për të vazhduar menaxhimin profesional të kufijve shtetërorë, në përputhje me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Po ashtu, paralajmëroi se do të reagojë me profesionalizëm ndaj çdo akti kundërligjor që cenon marrëveshjet dhe sovranitetin e vendit.