Udhëheqësit ndërkombëtarë të tenisit deklaruan më 31 maj se tenisti serb, Novak Gjokoviç, i cili shkroi “Kosova është zemra e Serbisë” në një kamerë në French Open, nuk i ka shkelur rregullat e garës pasi “deklaratat politike nuk janë të ndaluara”.
Gjokoviç e mbrojti veprimin e tij gjatë një interviste të dhënë për media serbe, duke thënë se Kosova është “djepi, kalaja” e Serbisë.
Federata Ndërkombëtare e Tenisit (ITF), organi drejtues i sportit, tha se kishin marrë një kërkesë nga Federata e Tenisit të Kosovës që kërkon që Gjokoviç të sanksionohet për veprimet e tij.
Megjithatë, ata theksuan se deklarata të tilla nuk bien ndesh me rregulloret për garat e Grand Slams, si French Open.
“Rregullat për sjelljen e lojtarëve në një garë të Grand Slam rregullohen sipas rregullores së Grand Slam, e administruar nga organizatori dhe rregullatori përkatës. Nuk ka asnjë dispozitë në këtë rregullore që ndalon deklaratat politike”, tha një zëdhënës i ITF-së në një deklaratë të dërguar me email.
Gjokoviç do të përballet më 31 maj me tenistin hungarez, Marton Fucsovics.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, kishte thënë një ditë më parë se “Gjokoviq ka promovuar sërish propagandën e nacionalistëve serbë dhe ka përdorur platformën sportive për ta bërë këtë”.
“Deklaratat e mëtejshme, pas ndeshjes, të bëra nga një personazh i tillë publik, pa asnjë ndjenjë pendimi, rezultojnë drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të tensioneve dhe dhunës midis dy vendeve”, tha Krasniqi.
Sipas tij, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar duhet ta hetojë rastin, duke hapur procedura disiplinore kundër sportistit./REL