PS fut në sherr opozitën, voton kandidatin e Bashës për dosjet/ Bardhi: Ju jeni të pafytyrë

Mazhoranca ka futur në sherr opozitën pasi miratoi si kandidat për anëtar të Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish-sigurimit, Simon Mirakën, i propozuar edhe me firmën e Sali Berishës.

Ky qëndrim i PS-së, nxiti debate të forta në Komisionin e Ligjeve, pasi më herët kishte refuzuar kërkesat e deputetëve të opozitës që ish-të përndjekurit të kishin anëtarët e tyre në këtë autoritet. Deputeti demokrat, Gazment Bardhi, reagoi ashpër dhe i quajti deputetët e mazhorancës të pafytyrë, pasi shkelën një betim të tyre, duke votuar një kandidat të firmosur nga një “non grata”.

Deputetët e opozitës ngritën shqetësimin se ky autoriteti nuk duhet të ketë interesa politike për të kompromentuar procesin, dhe ish-të përndjekurit “janë të interesuar për t’iu hapur dosjet dhe jo për t’i varrosur, siç do mazhoranca”.

Bardhi u përplas me kryetaren e Komisionit, Klotilda Bushka, ku i solli në vëmendje se fitorja e PS-së erdhi nga mbështetja e grupeve kriminale. Por, deputetja socialiste i kujtoi deputetit demokrat, vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, duke i vënë në dukje ndryshimet mes dy forcave politike.

DEBATI

Enkelejd Alibeaj: Një proces të tillë të përzgjedhjes, identifikimit dhe votimit të anëtarëve të një autoriteti kaq të rëndësishëm ne nuk mund ta kalojmë në mënyrë kaq të shpejtë dhe pa parë kriteret ligjore.

Do ishte e logjikshme e një lloj reflektimi për të mbështetur atë autoritet që të paktën që ajo pjesë që vjen nga të përndjekurit politikë të kishte të drejtën për të përcaktuar përfaqësuesit e tyre në këtë autoritet. Vetëm kështu mund të konsiderohet që ky institucion e kryen punën e vet në frymë të ligjit dhe shërbim të publikut.

Ftesa ime për ju është që të përcaktoni fare qartë se cilët janë postet apo vakancat që i takojnë shtresës së përndjekurve politikë, të cilët sipas dokumentacionit kanë përcaktuar aplikimet përkatëse duke respektuar të gjitha kërkesat ligjore. Nuk e keni bërë, ftesë e kam ju thashë mos bini pre e frymës që ju ka kapluar që për çdo gjë doni ta merrni, ta merrni, e keni forcën e kartonit e di dhe këtë.

Por, së paku për një çështje që kurrsesi nuk duhet politizuar duhet të keni shtysën e brendshme, nëse ju ka ngelur, që ta reflektoni këtë traditë dhe të respektoni dhe procedurat ligjore.

Drejtuesi i Komisionit të Ligjeve, Eduard Ndreca: Gjithë ky proces ka kaluar. Diskutimet politike duhet të ishin bërë, ne shohim 7 kandidatë që do t’i nënshtrohen procesit të përzgjedhjes këtu në komisioni për të kaluar më pas në seancë. Sa u përket të përndjekurve, edhe ju e shikoni se ne kemi bërë më shumë se sa keni bërë ju për të përndjekurit. E kemi treguar me fakte mos i hyjmë më këtij debati se është bërë dhe ju e dini edhe vetë këtë.

Oerd Bylykbashi: Kjo e fundit jo më çuditi, por unë e refuzoj ta pranoj. Nuk mund të thuhen gjëra të tilla kaq lehtësisht. Qëllimi për të cilin është bërë ky ligj dhe ka ky autoritet është që të nxjerrë jashtë në dritën e diellit atë që ka bërë sigurimi i shtetit në 45 vite.

Ky nuk është një aktivitet i një institucioni, por është tehu më i zi i atij sistemi. Ai nuk ka bërë gjëra që ishin të këqija, ka bërë krime dhe ky institucion ka për detyre ta nxjerrë këtë në pah, kështu ja keni hequr mundësinë që ta çojë deri në fund punën e tij. Ne ende nuk kemi një mekanizëm efektiv për dënimin penalisht të krimeve të komunizmit siç kërkojnë rezolutat e Këshillit të Europës. Unë mendoj që të gjitha kandidaturat duhet të vinin qartazi nga shtresa e atyre që u persekutuan dhe dënuan.

Të gjithë dhe ai Kryeministri duhet të ishte i tillë të përzgjidhte përtej interesit të tij politik dikë që vjen qartazi nga një shtresë që ka qëllimin për të nxjerrë, se ky nuk është autoriteti që duhet të varrosë dosjet, ky nuk mund të jetë autoriteti për mos informimin për dosjet e sigurimit.

Këtij parlamenti duhet t’i vijë turp që akoma nuk ka bërë atë që duhet të bëjë. Po nuk u ndamë ne sot nga krimet e komunizmit, ndërgjegjja e kësaj shoqërie s’ka për të qenë kurrë e qetë.

Ne duhet të synojmë që kandidaturat që dalin nga ky komision të mos ju japin juve mazhorancën për t’i mbyllur gojën këtij autoriteti edhe për një mandat tjetër.

Enkelejd Alibeaj: Qasja më e mirë do ishte që ta nxirrte jashtë politizimit këtë autoritet. Kjo ka sens jo vetëm për shkundjen e pluhurit të harresës të 50 viteve, por ky autoritet është ai, i cili sipas ligjit ka të drejtën që për të gjitha emërimet në funksionet më të larta shtetërore të japë vlerësimin: është apo jo pjesë e sigurimit të shtetit. Kjo shoqëri ka vuajtur dhe është plagë e saj.

Ata njerëz kanë qenë autorët e sistemit diktatorial. Para 4 vitesh i latë të përndjekurve një pjesë të anëtarësisë, sot nuk domi më. Sot do duhet të ishit më “zemërgjerë”. Thelbi i veprimtarisë së atij autoriteti është besueshmëria në publik. Që janë besnik në procesin e hapjes së dosjeve të sigurimit, që vetë autoriteti nuk ka interesa politike për të kompromentuar punën e tij.

Ndryshe do të ishte një proces i gjithi fals. I ngjashëm me veprimtarinë e sigurimit të shtetit. Shoqëria shqiptare ka nevojë të çmontojë veprimtarinë e sigurimit të shteti, kjo nuk mund të bëhet me metoda të sigurimit të shtetit, siç po bëni juve tani.

Xhemal Qefalia: Është për të ardhur keq që gjithçka politizohet. Etiketimi që ju jeni të persekutuarit dhe ne persekutorët është një kohë e tejkaluar.

Meqë jeni kaq të ndjeshëm, sa prej jush keni shkuar dhe keni marrë vërtetime që nuk janë persona që kanë qenë të ndikuar nga sigurimi i shtetit dhe e kanë të zbardhur këtë. Se disa prej grupit tuaj kanë qenë pjesë e nomenklaturës. Po, unë e kam marrë dhe ta tregoj.

Dhurata Çupi: Unë po ju sfidoj! Ju keni mazhorancën dhe shumicën në Kuvend. Bëjmë një kërkesë në emër të Komisionit të Ligjeve për autoritetin e dosjeve dhe në faqen e Kuvendit të publikohet nga 1 deri në 140 të gjithë ata që kanë probleme me sigurimin e shteti. E pranoni ju këtë sfidë? Përfaqësuesit për të cilin kishte si qëllim ligji ju nuk do t’i votoni.

Gazment Bardhi: Ajo që ndodhi tregon babëzinë që keni ju për të kapur çdo institucion. Ne tani do flasim për administratën publike, por në fakt ju nuk keni lënë administratë publike në këmbë pa e politizuar.

Edhe një institut që është ngritur me vullnet të përbashkët, ju vini këtu për të verifikuar kriteret ligjore dhe zotërinjtë që votuat kundër i plotësojnë kriteret ligjore. Jeni edhe të pafytyrë sepse keni bërë një betim që nuk do votoni asnjë person që propozohet nga “non grata”, nga Berisha dhe sapo votuan një person që e ka propozuar Berisha.

Ju jeni të pafytyrë. Ju tjetër gjë thani dhe tjetër gjë bëni. Po ju tregoj se çfarë përfaqësoni ju. Nuk mund të jetë vota juaj dhe mbështetja e “non grata”-ve që përcakton përbërjen e institucioneve publike.

Tani dilni dhe shpjegojini shqiptarëve pse i mashtroni kur thoni që nuk votojmë me firmat e “non grata”-ve dhe ngrini dorën rresht. E dini pse? Sepse nuk lexoni, por merrni vetëm urdhra. Jeni betuar, çdo dokument që propozohet nga “non grata” nuk merret në konsideratë. Ama kur ju duhet ju për të kapur institucionet e ngrini dorën rresht, ulni dhe kokën.

Klotilda Bushka: Z. Bardhi, lërini patetizmat. Kandidati për të cilin flisni ka mbështetjen e 28 deputetëve edhe të grupit tuaj jo “non grata”. Kështu që duhet të kishit bërë vetë verifikimin përpara se të vinit këtu të na bënit gjyqin neve. Po të flisni ju për depolitizimin e administratës do ishte shumë korrekte, por juve vini çdo argument për të thënë që ju nuk i fitoni zgjedhjet se jua kanë fajin të tjerët. Ne Gazi jemi shumë ndryshe!

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *