Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ironizuar nga Durrësi me kandidatin e PD-së në Dibër, Xhelal Mziun, për deklaratën e tij paralajmëruese pas vrasjes së Elbasanit dhe faljen e tij.
Rama thotë se, Mziu është një fytyrë që shekujt e kanë harruar mes shqiptarëve, teksa thotë se, falja e tij nuk i duhet as dreqit.
Ai shton se Mziun e nxorën për të kërkuar falje, pasi ata që e urdhëruar kanë “mbushur ato që s’thuhen”, ndërkohë që shton se opozita s’ka kërkuar ende falje për vrasjen e Elbasani.
“Shumë faleminderit të gjithëve, edhe dua që kjo natë të them se sa krenar jam për të gjithë patronazhistët e patronazhistet e Durrësit, Shijakut dhe Krujës. Jam shumë krenar, sepse këtu në Durrës falë gjithë kësaj qytetarëve, njerëzve të zakonshëm e të buzëqeshur, njerëz paqësorë, punëtorë, të vendosur, më 25 prill ne do t’ju tregojmë nga Durrësi të gjithë shqiptarëve, por edhe atyre që nuk kanë lënë gur pa luajtur për ta penguar rrugën tonë, se Durrësin dhe PS nuk ka forcë që e ndal.
Gjithë ju patë një fytyrë të dalë nga zgafellet e historisë shqiptare, të errët, kush ka mundësi ja ku e ka, një fytyrë që duket sikur shekujt e kanë harruar mes nesh, një fytyrë që është shëmbëlltyra më kuptimplotë, shëmbëlltyra më reale, më e prekshme, më e padiskutueshme e atyre që duan me çdokush të na kthejnë mbrapa.
Ky troglodit, u tha disa njerëzve që ishin mbledhur, se mjaftonte një telefonatë dhe ky bashkë me grupin e tij do shkonin në vendin nga ku vinte telefonata dhe do bënin atë që bënë në Elbasan.
Pastaj, ky kërkoi falje, falja e këtij nuk i duhet dreqit, jo shqiptarëve. Dhe falja e tij ka një problem shumë të madh, ndërkohë që ky kërkon falje, nga frika pasi ata që e kanë nxjerrë të kërkojë falje i kanë mbushur ato që s’thuhen, nuk kanë kërkuar ende falje për Elbasanin. Kërkojnë falje për një fjalë shumë të rëndë të nxjerrë nga goja e një analfabeti funksional”, – tha Rama.
/Priza.al/