Deputetë të majtë dhe të djathtë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë janë bërë bashkë për të bllokuar një projektligj të qeverisë për rritjen e pagave në administratën shtetërore. Kryetari i komisionit të ekonomisë, Eduard Shalsi është kujdesur që “pakti” mes PS dhe opozitës të mos regjistrohej nga kamerat dhe tetë minuta pasi nisi mbledhja e komisionit i kërkoi stafit që kamerat të fiken e për rrjedhojë edhe sistemi i regjistrimit audio të komisionit të mos regjistronte.
Një burim nga mbledhja e komisionit i tha BalkanWeb se Shalsi e kishte diskutuar këtë propozim më parë edhe me disa deputetë të tjerë përpara se ta hidhte për diskutim në mbledhje. “Unë e kam biseduar këtë çështje edhe me disa deputetë dhe do ta shtrojmë edhe këtu”, e hapi diskutimin pa kamera Shalsi. Gjatë mbledhjes së komisionit janë marrë shembuj të disa profesioneve si ai i mësuesit që me rritjen e pagave sipas deputetëve, do të paguhen më shumë se deputeti.
Në draftin e propozuar nga qeveria parashikohet që rroga e Presidentit të Republikës nga 257 mijë lekë në muaj që është aktualisht të rritet në 425 mijë lekë në muaj. Sot rroga e një deputeti është sa 61 për qind e pagës së Presidentit. Nëse qeveria do të kishte ruajtur të njëjtin koeficient për deputetët, për shkak të rritjes së rrogës së Presidentit edhe pagat e tyre do të rriteshin në të njëjtin raport. Por në projektligj Ministra e Financave ka propozuar që koeficienti për pagën e deputetëve të ulet në 36.9 për qind e rrogës së Presidentit.
Si rezultat, edhe pse rroga e Presidentit rritet me 65 për qind, paga e deputetit nuk ndryshon për shkak të uljes së koefiçentit. E njëjta skemë është ndjekur edhe me pagën e Kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, ministrave dhe disa funksionarëve të tjerë të lartë. Burimet i thanë BalkanWeb se deputetët do të paraqesin disa amendamente ku do të kërkohet respektimi i hierarkisë aktuale të pagave, çka do të thotë se me rritjen e pagës së Presidentit, rritet automatikisht edhe paga e deputetit. Amendamentet do të diskutohen pas zgjedhjeve së bashku me projektligjin e qeverisë./BW