Kuvendi i Shqipërisë do të nisë punimet javën e ardhshme pikërisht me nismën e socialistëve për të ndryshuar ligjin e hapjes së Dosjeve të Bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.
Ky propozim vjen vetëm një muaj pasi autoriteti paraqiti dokumentet duke deklaruar se ish-presidenti Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor me sigurimin para vitit 1990. Por për shkak të marrjes së certifikatës së pastërtisë prej komisionit Bezhani autoriteti nuk mund të bëjë verifikime të tjera.
Konferenca e Kryetarëve ka futur në rendin e diskutimeve edhe çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës.
Tashmë mazhoranca kërkon riverifikimin e të gjitha figurave por duke shtuar se cilido që rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor nuk duhet të kandidojë për deputet, kryetar bashkie apo në institucione shtetërore.
Gjithashtu bëhet me dije se do të rikthehen dhe diskutimet sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor me qëllim reformën elektorale para zhvillimit të votimeve në 61 bashkitë e vendit. Rikthimi në sallë i deputetëve do të zhvendosë përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës në foltoret e komisioneve dhe të seancës plenare.