PS pr.rezolutë në Kuvend kundër Dick Marty: KiE t’i quajë të paargumentuara pretendimet e tij për trafik organesh në Shqipëri e Kosovë

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar në Kuvend një projektrezolutë ku kërkohet të konsiderohen të paargumentuara pretendimet e ngritura nga Dick Marty “për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë”.

Projektrezoluta është firmosur nga 11 deputetë socialist dhe i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të hartojë një raport dhe të rishikojë Rezolutën 1782 “duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë”.

Të nderuar anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë,

Në vijim të qëndrimeve tona të kahershme për vlerësimin e legjitimitetit të luftës heroike e çlirimtare të UÇK dhe duke rishprehur qëndrimin tonë se nuk mund të vendosen paralele midis masakrave çnjerëzore, spastrimeve etnike, deportimeve, vrasjeve, përdhunimeve, plaçkitjeve dhe krimeve të luftës, nga drejtues dhe anëtarë të makinerisë zyrtare luftarake serbe dhe paramilitarët e saj gjatë luftës në Kosovë, nga njëra anë, dhe integritetit e kauzës së drejtë të luftës së UÇK si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë të popullit në Kosovë, nga ana tjetër.

Bazuar në parimin se çdo dyshim për krime duhet zbardhur nga organet e drejtësisë sipas parimeve të procesit të rregullt ligjor dhe se nuk mund të ketë çështje pafundësisht në hetim por dhe se çdo proces do duhet të mbarojë dikur, me qëllim që popujt të gjejnë focën të pajtohen e jetojnë së bashku duke shëruar plagët e së shkuarës.

Konstatojmë se pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty (Doc. 12462, datë 7 janar 2011), asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në APKiE, “për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë”, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.

Për këtë qëllim propozojmë këtë “Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, ku i kërkojmë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (Follow up Report) dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës 1782 (2011), duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.

Gjithashtu i kërkohet Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi dhe përsërit thirrjen e tij për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj.

Kjo projekt-Rezolutë, për të cilën besojmë se do të kemi mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, rikonfimon edhe një herë sikurse në rastet e mëparshme, vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën.

Taulant BALLA

Mimi KODHELI

Klotilda BUSHKA

Etilda GJONAJ

Blendi KLOSI

Etjen XHAFAJ

Petro KOCI

Hatixhe KONOMI

Bardhyl KOLLCAKU

Ilir PENDAVINJI

Arben PËLLUMBI

Duke nënvizuar se pas hyrjes në fuqi të Ligjit nr.53/2012, autoritetet shqiptare bashkëpunuan ngushtësisht me Task Forcën Hetimore Speciale të Bashkimit Europian dhe organet e specializuara në Kosovë, duke ofruar gjithë ndihmën, asistencën e nevojshme, informacionet e kërkuara si dhe kryerjen e veprimeve përkatëse në lidhje me to, me qëllim zbardhjen e të vërtetës mbi pretendimet në Raportin e Dick Marty;

Duke konstatuar se nga hyrja në fuqi e Ligjit nr.53/2012 e deri më sot, asnjë prej organeve të specializuara në Kosovë apo organizatat ndërkombëtare nuk kanë ngritur asnjë pretendim për mungesën e bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare në këtë proces;

Duke nënvizuar seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e Kuvendit të Shqipërisë për të ushtruar kontrollin parlamentar për zbatimin e Rezolutës 1782 (2011) të APKiE dhe Ligjit nr.53/2012 nga autoritetet shqiptare nëpërmjet ngritjes së një Komisioni të Posaçëm për realizimin e këtij funksioni parlamentar me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë nr. 72/2020, i cili nuk e përmbylli dot veprimtarinë e tij për shkak të mbarimit të legjislaturës së IX të Kuvendit (2017-2021), por arriti të marrë informacione e raporte të plota që vërtetojnë se gatishmëria e autoriteteve shqiptare ka qenë efektive dhe këto autoritete i janë përgjigjur në kohë e me konstruktivitet kërkesave të autoriteteve të huaja për bashkëpunim, ndihmë, asistencë dhe veprime konkrete sipas përcaktimeve të Ligjit nr.53/2012, duke përmbushur kështu njëkohësisht dhe rekomandimet e Rezolutës 1782 (2011) për Shqipërinë;

Duke konstatuar se nga aktet, provat, raportet dhe informacionet që mblodhi Komisioni i Posaçëm ngritur me vendim të Kuvendit nr.72/2020, nuk ka asnjë fakt apo provë që të vërtetojë pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe/apo në Shqipëri;
Duke theksuar se Dick Marty, pas vizitave që kreu si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, kurrë deri më sot, nuk ka paraqitur asnjë provë për të vërtetuar krimet e supozuara të kryera në lidhje me trafikimin e organeve njerëzore, siç pretendon në Raportin e tij

Duke qenë se kësisoj, nisur dhe nga sa parashtrohet në pikën 7 të kësaj rezolute, edhe pas më se një dekade nga Rezoluta 1782 (2011) e APKiE, rezulton se asnjë nga misionet dhe/apo hetimet e organeve të drejtësisë vendase apo ndërkombëtare nuk kanë gjetur asnjë fakt e asnjë provë që të vërtetojë pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty për vrasje me qëllim trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe/apo në Shqipëri;
Duke respektuar dhe pa ndërhyrë në asnjë hetim apo procedurë gjykimi ndaj personave të veçantë, udhëheqësve të luftës së UÇK dhe duke qenë të përkushtuar për zbatimin e plotë të rekomandimeve të Rezolutave të APKiE si vend anëtar i Këshillit të Evropës;

Duke ndarë të njëjtin mendim me Dick Marty, aty ku shprehet në Raportin e tij se: “E vërteta dhe përgjegjshmëria janë nevoja absolute nëse duhet të ketë pajtim dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”;

Duke vlerësuar legjitimitetin e luftës heroike të UÇK për çlirimin e vendit dhe duke qenë të bindur se pavarësisht se nuk mund të vendosen paralele midis masakrave çnjerëzore, spastrimeve etnike, deportimeve, vrasjeve, përdhunimeve, plaçkitjeve dhe krimeve të luftës, nga drejtues dhe anëtarë të makinerisë zyrtare luftarake serbe dhe paramilitarët e saj gjatë luftës në Kosovë, nga njëra anë, dhe integritetit e kauzës së drejtë të luftës së UÇK si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë të popullit në Kosovë, nga ana tjetër, çdo dyshim për krime duhet zbardhur nga organet e drejtësisë sipas parimeve të procesit të rregullt ligjor, por se nuk mund të ketë çështje pafundësisht në hetim; çdo proces do duhet të mbarojë dikur, me qëllim që popujt të gjejnë focën të pajtohen e jetojnë së bashku duke shëruar plagët e së shkuarës;
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

– Konstaton se, pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.

– Përgëzon autoritetet e Republikës së Kosovës, të cilat, në përputhje me kërkesat e parashikuara në pikën 19.6 të Rezolutës 1782 (2011) të APKiE, kanë bashkëpunuar pa rezerva me EULEX dhe çdo organ tjetër gjyqësor të mandatuar për të kryer hetime vijuese si dhe në kuadër të çdo procedure tjetër që synon të zbulojë të vërtetën.

– Përshëndet autoritetet e Kosovës, të cilat, në përputhje me një marrëveshje ndërkombëtare dhe amendamentin kushtetues nr.24 të Gushtit 2015 miratuan themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesë përbërëse e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe të natyrës së përkohshme, me qëllim kryesor hetimin dhe/ose gjykimin e krimeve të pretenduara në Raportin e Dick Marty.

– I bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (follow up report) dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës 1782 (2011), duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.

– I kërkon Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi dhe përsërit thirrjen e tij për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj.

– Shpreh vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën.

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *