Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar në Kuvend raportin në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Në raport thuhet se anëtarët e shumicës parlamentare në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, vlerësojnë që cështja duhet t’i kalojë seancës plenare për të vendosur në lidhje me dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese sipas parashikimeve të nenit 70 të Kushtetutës.
“Në këto kushte, Kuvendi ndodhet në një situatë pamundësie për të vepruar ndryshe, pasi i duhet të zgjedhë se cilin qëndrim të Gjykatës Kushtetuese të respektojë mes standarteve të ndryshme të vitit 2016 dhe 2023. Gjithashtu, nga ana tjetër, grupimit prej 1/5 të deputetëve, sic është sqaruar më sipër i është mohuar e drejta për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese parashikuar në Kushtetutë dhe ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese, në dispozita që janë ende në fuqi”, thuhet ne raport.