Pse Irani po ekzekuton kaq shumë të burgosur?

Me një listë të gjatë të krimeve për të cilat shqiptohet dënimi me vdekje, Irani ka ekzekutuar të paktën 314 të burgosur gjatë vitit të kaluar. Vetëm Kina ka ekzekutuar më shumë të burgosur dhe atë mbi 1.000. Organizata Iran Human Rights, në fakt tha se shifra është 333, që paraqet një rritje të ekzekutimeve, krahasuar me vitin 2020, kur ishin ekzekutuar 267 të burgosur.

Numri alarmues i ekzekutimeve – shumica besohet se janë kryer përmes varjes – ka tërhequr vëmendjen e pjesës më të madhe të organizatave të komunitetit ndërkombëtar, që besojnë se dënimi me vdekje është mizor, degradues dhe çnjerëzor. Por, pse kaq shumë të burgosur iranianë janë ekzekutuar në dy vjetët e fundit? Ndërsa dënimet e detyrueshme me vdekje ekzistojnë për disa vepra, tendencat e vërejtura ngrenë pyetje lidhur me motivin e vërtetë prapa këtyre dënimeve.

Kur gjykohen për ndonjë krim, qytetarët iranianë nuk janë të barabartë para ligjit. Burrat kanë më shumë të drejta se gratë, myslimanët kanë më shumë të drejta se jomyslimanët dhe myslimanët shiitë kanë më shumë të drejta se ata sunit, të cilët janë minoritet në këtë shtet.

Minoritetet etnike po ashtu janë në disavantazh në sistemin e drejtësisë. Edhe pse përbëjnë vetëm 2 deri në 5 për qind të popullsisë së Iranit, 21 për qind e të ekzekutuarve më 2021 ishin nga minoriteti baluç dhe 26 për qind vetëm në gjysmën e parë të vitit 2022.

Gjykatat revolucionare

Në Iran, krimet e ndryshme trajtohen nga gjykata të ndryshme. Rastet e përdhunimeve dhe vrasjeve trajtohen nga gjykatat penale. Ndërkaq armiqësia kundër Zotit, rebelimi i armatosur dhe rastet e lidhura me drogë trajtohen nga gjykatat revolucionare, të cilat janë përgjegjëse për shumicën e shqiptimeve të dënimeve me vdekje në 12 vjetët e fundit.

Megjithatë, këto gjykata nuk janë transparente dhe gjykatësit janë shkelës të mëdhenj të fuqive të tyre ligjore, duke iu pamundësuar të dënuarve që të kenë qasje tek avokatët dhe duke lejuar marrje në pyetje nën torturë ose nën detyrim për të pranuar krimet.

Gjykatat revolucionare po ashtu janë përgjegjëse për shqiptimin e dënimeve ndaj personave që gjenden fajtorë për kritikat ndaj autoriteteve. Në qershor të vitit 2021, Parlamenti iranian kaloi një draft-ligj që shënjestronte gazetarinë qytetare. Nëse ky legjislacion miratohet, gazetarët apo aktivistët e të drejtave të njeriut që raportojnë për dënimet me vdekje, mund të dënohen edhe vetë me dënim kapital.

Të gjithë këta faktorë lehtësojnë shqiptimin masiv të dënimeve me vdekje në Iran. Në vitet 2021 dhe 2022 ka pasur një rritje dramatike të numrit të ekzekutimeve. Sipas organizatës Iran Human Rights, të paktën 333 persona janë ekzekutuar në mbarë vendim më 2021, që është shifra më e lartë që nga viti 2018. Dhe sipas shifrave të deritashme, viti 2022 pritet të arrijë shifër rekorde të ekzekutimeve, pasi deri më tani janë ekzekutuar 320 persona, sipas Iran Human Rights.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *