Një gjë është tashmë e qartë: Një luftë e vogël larg kufijve të Amerikës e ka ndryshuar botën tonë, dhe e ka bërë më të vogël vendin e Amerikës në të…
Më 9 korrik, ndërsa bota po shihte rrënojat e spërkatura me gjak të një spitali fëmijësh në Kiev, Rusia festonte nisjen e presidencës së saj të radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me një drekë të shtruar enkas në Nju Jork.
Në meny ishte edhe “Chicken Kiev”, një pjatë popullore ruse me kotoleta pule të prera hollë dhe të mbushur me hudhra të grira. Organizatori i drekës dhe ambasadori i përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, mohoi përgjegjësinë e Rusisë për bombardimin që vrau dy të rritur dhe plagosi shtatë fëmijë.
Diplomatët vazhduan të hanin në heshtjen racionin e tyre të pulës. Ai moment është një simbol i përsosur e botës në të cilën jetojmë sot. Ndërsa Perëndimi bën sehir, duke u shfaqur si i pafuqishëm, Rusia po bëhet gjithnjë e më e guximshme, duke u sjellë si një nxënës i dhunshëm ndaj shokëve, duke e kuptuar se mësuesi nuk po vjen që ta ndëshkojë.
Frika e rusëve ndaj NATO-s, e dukshme në fillim të pushtimit, tani është zbehur nga mosndëshkimi që po gëzon udhëheqësi i tyre, pavarësisht mizorive të kryera gjatë. E pse të kenë frikë rusët? Pavarësisht se zotëron të gjitha burimet për t’i dhënë fund kësaj lufte sipas kushteve të Ukrainës, Perëndimit i mungon qartazi vullneti për të fituar.
Për Vladimir Putinin, fitorja është tashmë e arritshme, pavarësisht se kush do të jetë në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit të ardhshëm. Gjatë 2 viteve e gjysmë, udhëheqësit perëndimorë kanë përsëritur deklaratën se “qëndrojnë përkrah Ukrainës” . Por pavarësisht se thonë fjalët e duhura, ata vazhdojnë ta trajtojnë luftën si një konflikt të lokalizuar dhe në të cilin kanë pak detyrime. Ndihma ushtarake e premtuar, mbërrin me vonesë dhe në sasi të pamjaftueshme në Ukrainë për t’iu përshtatur burimeve të Rusisë. Ndërkohë kufizimet, si ato kundër shënjestrimit të aseteve ushtarake brenda Rusinë, e dëmtojmë efektivitetin e kësaj ndihme. Përparimi i fundit i ushtrisë ukrainase brenda territorit rus, tregon se çfarë mund të ishte e mundur nëse hiqen kufizimet.
Por Perëndimi është i fiksuar pas qasjes së tij “shumë pak- shumë vonë”, justifikuar nga rreziku i provokimit të sulmeve bërthamore nga ana e Rusisë. Aplikimi i Ukrainës për t’u bërë pjesë e NATO-s, është një argument i diskutueshëm për të njëjtën arsye. Perëndimi nuk ka arritur të dëmtojë seriozisht burimet e fuqisë ekonomike të Rusisë, pavarësisht raundeve të njëpasnjëshme të sanksioneve.
Ekonomia ruse po rritet kënaqshëm dhe asetet e oligarkëve rusë mbeten të sigurta në Perëndim, edhe pse për momentin janë të ngrira. Por ç’është më e rëndësishmja:nafta ruse po blihet dhe shitet me një vështirësi minimale në mbarë botën, sepse udhëheqësit perëndimorë nuk mund të vendosin dot se çfarë duan më shumë:ta ndëshkojnë Rusinë në një mënyrë domethënëse, apo t’i lënë gjërat ashtu siç janë.
Është e qartë se propozimi i Thesarit të SHBA-së për të vendosur gjoba ndaj cisternave që e ndihmojnë naftën ruse të shmangë sanksionet, ka ngecur për shkak të frikës së Shtëpisë së Bardhë se mos çmimet e larta të karburantit, do të ndikonin për keq në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Një nga ata që nuk shqetësohet për fatin e zgjedhjeve amerikane është Putin. Në dallim nga Perëndimi i paqartë, presidenti Putin po luan seriozisht. Ai e ka futur vendin dhe ekonominë e tij në një bazë lufte, duke ndarë të paktën 1/3 e buxhetit të shtetit për ushtrinë, dhe duke joshur dhjetëra mijëra rusë që t’i bashkohen makinerisë së tij të luftës me rroga dhe pagesa bujare.
Ai ka zgjeruar operacionet sabotuese në territorin e NATO-s, duke financuar parti dhe politikanë pro-rusë , duke përhapur informacione të rreme, dhe duke shënjestruar drejtpërdrejt individë perëndimorë të përfshirë në dërgimin e armëve në Ukrainë. Kur përballet me provat, Rusia zgjedh vetëm të distancohet prej tyre.
Kjo panoramë – një kundërshtar me vullnetin dhe burimet për të luftuar deri në fund, dhe me aleatë që japin mjaftueshëm ndihmë vetëm sa për të ndaluar kolapsin e frontit – e lë Ukrainën në një pozicion të vështirë. Në një moment të caktuar vendosmëria ukrainase, tashmë e testuar deri në kufijtë maksimalë, do të nisë të dobësohet.
Dhe një marrëveshje paqeje me Putin, me çfarëdolloj kushtesh që ofron ai, do të bëhet më e preferueshme se vdekja. Ky moment mund të vijë më shpejt nëse Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale amerikane dhe i jep fund luftës “brenda 24 orësh ” siç edhe ka premtuar, duke e detyruar Ukrainën të negociojë sipas kushteve të Putinit.
Ose do të ndodhë më vonë nëse demokratët vazhdojnë të drejtojnë vendin, por edhe me strategjinë e tyre gjysmake të ndihmës ndaj Ukrainës. Putin po planifikon tashmë fitoren. I ashtuquajtur propozimi i tij i fundit për paqe – në të cilin Rusia mban territorin e pushtuar, dhe Ukrainës i ndalohet anëtarësimi në NATO – u hodh poshtë si propagandë nga shumë udhëheqës perëndimorë.
Por në fakt, ai është skenari më realist se si do të përfundojë kjo luftë. Zëra që variojnë nga mbështetësit e Kremlinit tek laureatët e Çmimeve Nobel, dhe madje edhe Papa Françesku, po mbrojnë një “paqe” që do t’i jepte Putinit atë që dëshiron. Natyrisht, Ukraina e ka refuzuar propozimin.
Por pasi të godasë infrastrukturën, njerëzit dhe ushtrinë e vendit, Rusia pothuajse me siguri do t’ia dalë të dominojë. Ndaj çdo gjë që ndalon bombat do të shihet si një përmirësim. Çdo luftë ka fitues dhe humbës. Në rast se Putin e fiton këtë luftë, Ukraina dhe aleatët e saj do ta kenë humbur atë.
Por humbja nuk do shpërndahet në mënyrë të barabartë. Një marrëveshje paqeje sipas kushteve të Putinit do të jetë e keqe për Ukrainën. Ajo do të humbasë gati 20 për qind të territorit të saj dhe rreth 5 milionë banorë. Por kjo humbje do të zbutet nga pengimi i planit fillestar të Putinit për të marrë kontrollin e Kievit, dhe për ta shkatërruar Ukrainën si komb.
Lufta do të ndalet. Do të ketë të vdekur për të cilët do të mbahet zi, të plagosur për t’u shëruar, dhe një vend për t’u rindërtuar. Reputacioni i Ukrainës në skenën globale do të jetë më lart se kurrë më parë, dhe në horizont do të duket anëtarësimi i saj në Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër Perëndimit do ta ketë të vështirë të gjejë ndonjë gjë pozitive.
Dështimi i liderëve të saj për të parandaluar luftën në Evropë, apo për të ndëshkuar me sukses agresorin, do t’u sinjalizojë të tjerëve se kufijtë nuk janë më të paprekshëm. Kështu do të riaktivizohen konfliktet e ngrira dhe do të rishfaqen ankesat e vjetra, teksa institucione si Kombet e Bashkuara do të shërbejnë vetëm sa për regjistruar dëmet.
Rusia, e mbështetur nga shtete të tjera me një qasje haptazi anti-perëndimore si Irani dhe Koreja e Veriut, do të inkurajohet më tej në sjelljen e saj agresive. Konflikti tjetër mund të ndodhë në territorin e NATO-s. Nëse kërcënimet bërthamore mjaftojnë për të frenuar NATO-n në Ukrainë, e pse të mos funksionojë kjo gjë edhe nëse Putin pushtonte një vend anëtar të aleancës, siç është Estonia?
Kontinenti evropian nuk do të jetë më i sigurt. Megjithatë, Ukraina dhe Evropa nuk do të jenë humbësit më të mëdhenj të kësaj lufte. Në çdo aleancë, përgjegjësinë kryesore e mban lideri i saj. Duke e lidhur që në fillim fatin e saj me Ukrainën, dhe më pas duke dështuar të ofrojë mbështetjen e duhur, Amerika e ka humbur vendin e saj si mburoja e Perëndimit që mund të garantojë mbrojtje dhe paqe për aleatët e saj.
Vitin e kaluar, qasja e saj ngurruese, dhe dërgimi pjesë-pjesë i armëve e dëmtoi kundërsulmimin veror të Ukrainës. Këtë vit, turbullirat e brendshme politike penguan dërgimin e ndihmën jetike dhe e ngatërruan opinionin publik amerikan mbi urgjencën e kësaj ndihme.