Nga Poli Hoxha
Shumëkush thotë se testi i fundit për Sali Berishën dhe Rithemelimin është ajo që do të ndodh pas vendimit të Gjykatës së Apelit, për legjimitetin e Partisë Demokratike.
Nëse logo, vula dhe godina i mbeten Berishës, atëherë do të shohim qartë se përse e donte me çdo kusht rimarrjen e timonit të PD-së.
Nëse Apeli e lë në “ilegalitet”, atëherë do të kuptojmë se sa fuqi reale ka Berisha për të ngritur një parti të re dhe faktoriale. Pavarësisht se ai vetë dhe lidershipi i “Rithemelimit” deklarohen se nuk jua ndjen për vendimin e Apelit, (cilido qoftë ai), pa mundësinë e tundjes së flamurin zyrtarë të PD, gjërat komplikohen shumë.
Sali Berisha së fundmi kur u pyet për aleancën e tij me LSI-në e Ilir Metës pas 25 korrikut, bëri një lëshim të madh për karakterin e tij egocentrik. Jam gati të udhëheq dhe të më udhëheqin- tha.
Pra nëse nuk merr dot ligjërisht PD-në, Berisha do të jetë i detyruar të ndjek vetëm dy rrugë. Të regjistrojë lëvizjen e tij si parti të re e cila mund të quhet normalisht, Partia Demokratike e Rithemelimit (PDR), ose të shkrihet me LSI-në nën logon e saj (shumë e vështirë kjo).
Si do që të shkojë, në krye të PD apo PDR, tashmë është e qartë që Berisha dhe Meta do të krijojnë me partitë e tyre një koalicion të përbashkët, duke nisur që me zgjedhjet lokale të vitit që vjen.
Por përpara se të vërtetohen apo jo të gjitha këto, (nëse Apeli nuk vendos gjatë javës që nis), Berisha ka shumë shpejt një test të madh për të kaluar. Ai është protesta e thirrur prej tij në datën 7 korrik.
As ai vetë dhe askush tjetër sado tru-programuar që të jetë, nuk e beson se me këto protesta Berisha do të rrëzojë Edi Ramën. Ndaj testi është tjetërkund.
Sa njerëz do të mbledhë; jo për të trembur, jo thjesht për të shantazhuar apo për të bërë që të reflektojë ndaj tij SHBA, por për tu krahasuar me Luzim Bashën kur drejtonte PD-në. Vetëm nëse tejkalon “të shiturin dhe besëprerin”, ai mund të shpresojë që të jetë një faktor real në politikën shqiptare.
Nuk po ju futemi votave, por vetëm mitingjeve. Në protesta e fundit të drejtuara nga Basha, sheshi mbushej me 50+ mijë demokratë dhe qytetarë. Berishës do ti duhet që ta tejkalojë këtë numër, por edhe nëse nxjerr pak a shumë të njëjtin lum protestuesish, mund të quhet “fitore”.
Që Berisha ka qenë mjeshtër i mitingjeve masive, kjo dihet. Por kohët kanë ndryshuar. Partia është e përçarë, vetë ai i izoluar nga ndërkombëtarët dhe i damkosur nga SHBA. Në një testim që bëri pak muaj më parë për të mbledhur njerëz kundër ‘Ballkanit të Hapur”, dështoi. Nëse bëhet fjalë për sallat që mbush që kur ka nisur Foltoren, përgjithësisht me të njëjtët njerëz, atëherë që tani ka dështuar.
Në 7 korrik atij i duhen të gjithë demokratët, plus një masë e madhe gri, e cila është gati të ngrihet kundër Ramës që qeveris me lak në fytin shumicës së shqiptarëve. Dhe jo vetëm një ditë, por në vazhdim.
Për datën 7 edhe mund të krijojë idenë momentale, se ka shumë njerëz me vete. Aq sa i duhen për të treguar se ka shumicën në PD. Për të ndikuar sado te vendimi i Apelit. Për të ndryshuar vakësinë që ka përfshirë në bazë “Rithemelimin” dhe mbi të gjitha, për të “vaksinuar” me optimizëm ndjekësit e tij, që kanë gati një vit që rrotullohen në boshllëk.
Por çështja është, sa kohë do të vazhdojë me presionin e shesheve të mbushura. Sa do të mundet që të bëjë opozitën që i duhet këtij vendi e cila ka detyrë emergjente që të ndalojë këtë kleptokraci (të paktën në zgjedhjet e vitit 2025) që sa vjen e del jashtë kontrollit edhe në skenën ndërkombëtare.
Berisha mund ti thërrasë njerëzit për çmimet e larta, korrupsionin, tradhtinë kombëtare, varfërinë, zbrazjen e vendit etj, etj. Çështja është se si do të zgjidhen me votë këto çështje, pasi hera e fundit që institucionet (edhe ato të korruptuara e kriminalizuara) janë marrë me protesta ka qenë 15 shtatori i vitit 1998.
Vetë e udhëhoqi atë “Revolucion” dhe po vetë u detyrua të tërhiqet me “bisht ndër shalë”, atëherë. Ai film dhe të tjerë që janë tentuar të ri-luhen me të njëjtin skenarë është i djegur përfundimisht, veçanërisht tani që jemi vend anëtar i NATO.
Para, por më fortë pas 25 zgjedhjeve të 25 prillit, Lulzim Basha shpalli kauzën e korrigjimit të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 që bënë kokë më kokë, Berisha me Ramën. Ndryshime që sollën këtë deformim dhe përçudnim të paprecedentë të demokracisë shqiptare dhe pollën, këtë Edi Ramë që kemi sot.
Mundet dhe sidomos a do Berisha, që nëpërmjet protestave të tij të imponohet për këtë?!
Po për Kodin e ri Zgjedhor, Referendumet, Reformën Territoriale, mundet dhe a do?!
Kjo është çështja, ky është testi i fundit i Berishës që duhet të kalojë me protestën e 7 Korrikut dhe të tjerat më pas, nëse do të mundet ti vazhdojë!/Alfapress.al