Prej ditësh socialistët dhe mediat pranë qeverisë janë duke i mëshuar faktit se përse mungon emri i Ilir Metës në fletën e votimit të zgjedhjeve të 24 majit në krah të koalicionit Bashkë Fitojmë.
Duket se beteja mediatike, ka zbritur tashmë ne KQZ ku të majtët bashkë me përfaqësuesin e Alibeajt kërkojnë vendosjen e emrit të Metës aty, ndërsa demokratët theksojnë se më shumë se emri i kryesuesit të koalicionit është programi ai që do të votohet.
Çfarë ndodhi sot?
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Indrit Sefa, ngriti shqetësimin se përse fshihet emrin i Ilir Metës si drejtues i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë”. Ai tha se po shkelet ligji me këtë format flete, ku drejtuesi i koalicionit nuk përmendet në fletë. Për t’ia kujtuar Sefa nxori një fotografi të printuar: “Ky në foto është Ilir Meta, kryetar i koalicionit”, tha ai.
“Ka ndonjëherë në historinë e KQZ që në fletën e votimit kur kemi të bëjmë me një koalicion të mos jetë vendosur emri i kryetarit. Ekziston ndonjëherë një precedent të tillë? Sa për informacion me ndryshimin e Kodit në vitin 2020 ka ndryshuar edhe strukturimi i KQZ. Dhe Komisioneri sigurish që ka praktika të tjera”, deklaroi Sefa. Përfaqësuesi i PD tha se ky është precedenti i parë.
Ndërkohë që përfaqësuesi i Partisë së Lirisë, Kaziaj e argumentoi kërkesën e tyre për të mos e pasur në fletën e votimit emrin e Ilir Metës se nuk ndikon pasi sipas tij votohet programi.
“Nuk do të thotë që zgjedhjet i fiton kryetari i një partie politike por forca dhe programi që i fiton zgjedhjet”, tha Kaziaj.
Pse kërkohet emri i Metës në fletën e votimit?
Socialistët duan emrin e Metës në krah të fletës së votimit për të penguar qytetarët në zonën gri që të votojnë koalicionin e kryesuar nga Berisha dhe Meta duke u stepur nga emri i këtij të fundit.
AlbEu mëson se socialistët besojnë sipas disa sondazheve që ata kanë bërë se Meta është një politikan i papëlqyer nga elektorati dhe kjo do të ndikojë në uljen e numrit të votave nga elektorati gri për koalicionin e djathtë.
Nuk dihet se kur është bërë ky sondazh dhe përse i referohen kaq fortë të majtët, por duket se rezultati i zgjedhjeve po tentohet të ndikohet para shkuarjes në kutinë e votimit.