Pse u përkeqësua liria e medias në Shqipëri? Reporterët pa Kufij: Duhet të bëhet me kujdes!

Kryeministri Edi Rama dhe më pas edhe drejtori i Agjencisë për Media dhe Informim, Endri Fuga kundërshtuan gjetjet e raportit të “Reporterëve pa Kufij” mbi lirinë e medias në Shqipëri. Kryeministri e quajti të pa bazë, ndërsa Fuga tha se raporti nuk paraqet gjendjen reale të medias në Shqipëri. Por, në një përgjigje përmes postës elektronike për Gazetën Si, ‘Reporterët pa Kufij’ u qëndrojnë gjetjeve të shprehura në raportin në fjalë për Shqipërinë. Gazeta u interesua të pyesë “Reporterët…” mbi metodologjinë dhe se ku bazohen ata në konkluzionet e raportit, duke marrë përgjigjet si më poshtë.

“Shqipëria renditet e 103-ta, e fundit në Ballkan, ndërsa mbetet në kategorinë e vendeve problematike. Krahasimi i vendeve dhe indeksit mes 2022 dhe 2021 duhet të bëhet me kujdes, duke pasur parasysh ndryshimin e metodologjisë. Shqipëria ka rënë edhe sepse vendet e tjera të rajonit janë përmirësuar, si Serbia, Mali i Zi, apo Maqedonia e Veriut. Megjithatë, në 2022 liria e medias qartësisht është përkeqësuar në Shqipëri”, thotë në përgjigjen e dhënë për Gazetën Si, kreu i zyrës së BE dhe Ballkanit i organizatës, Pavol Szalai.

Në lidhje me pretendimet e Kryeministrit Edi Rama se asnjë gazetar nuk është sulmuar nga policia, arrestuar, ndaluar, apo gjykuar në Shqipëri, Szalai citon të paktën tre raste, mes të cilave edhe rasti kur policia hedh gaz lotsjellës dhe godet me top uji gazetarët gjatë përplasjes së 8 janarit mes mbështetësve të Berishës dhe Bashës për kontrollin e selisë së Partisë Demokratike.

 

“Policia vazhdoi përgjatë 2022 të përdorë forcën në mënyrë arbitrare ndaj gazetarëve. Përtej dhunës policore, gazetarët janë të kërcënuar nga grupet kriminale, ose online ndërsa autoritetet nuk veprojnë, ose veprojnë ngadalë për t’i mbrojtur”, thotë Szalai.

“Reporterët pa Kufij” sjellin si shembull një deklaratë të bërë nga Kryeministri Edi Rama gjatë një konference të organizuar në kuadër të OSBE-së në tetor të vitit të kaluar për të argumentuar gjetjet e raportit për sulme politike ndaj gazetarëve.

“Media online në Shqipëri është po aq e dëmshme sa propaganda naziste, pedofilia dhe terrorizmi. Kur përpiqesh të parafytyrosh për shembull, se çfarë do t’i kishte bërë makineria propagandistike naziste botës me këtë liri është tronditëse. Apo edhe pa u përpjekur të imagjinoni fare, përpiquni të vlerësoni se çfarë dëmi po shkaktohet në jetën e përditshme nga burimet e së keqes në këtë botë nga terrorizmi, të gjitha llojet e fondamentalizmave, deri të pedofilia e të gjitha sëmundjet e shoqërisë moderne, që përmes lirisë së përhapjes mund të prekin shumë qenie njerëzore, grupe në nevojë dhe pjesë të dobëta të organizmit të shoqërive tona”, do të deklaronte Rama.

“Përkundër deklaratës së Kryeministrit, gazetarët sulmohen politikisht rregullisht në Shqipëri. Një shembull sa për të gjithë është vetë krahasimi që zoti Edi Rama i bëri medias online me nazistët, terroristët dhe pedofilët gjatë një konference të OSBE”, deklaron RSF.

Po jo vetëm deklaratat. Gjendja e medias në Shqipëri, sipas përgjigjes që Reporterët i kanë kthyer Gazetës Si është edhe zgjedhja në krye të institucioneve rregullatore të personave të lidhur me Partinë Socialiste, edhe pse pikët e hequra janë për emërimet dhe jo për veprime konkrete pas zgjedhjes.

“Kryeministri, i rizgjedhur në 2021, zgjodhi në krye të AMA-s një bashkëpunëtore të ngushtë të partisë së tij. Ky është rregullatori që duhet të forcohet në mënyrë të zhdrejtë nga paketa antishpifje, një propozim legjislativ i rrezikshëm për lirinë e medias. Në këtë kontekst, Kryeministri dështoi në 2021 që të japë garanci se agjencia e re centralizuese e komunikimit nuk do të pengojë të drejtën e informimit,”– shprehet kreu i zyrës së BE dhe Ballkanit i organizatës.

Të gjitha këto, sipas Reporterëve pa Kufij kanë dhënë kontributin e tyre që Shqipëria të shënojë vlerësimin e dytë më të ulët në kontekstin politik, një prej pesë treguesve të vlerësimit të përgjithshëm, ku vlerësimi më negativ është ai i kontekstit ekonomik.

“Sepse ndikimi negativ i Covid-19 në shëndetin financiar të mediave u ashpërsua nga shpërndarja pa transparencë dhe e padrejtë e fondeve publike për median e pavarur”, shton Szalai.

Reporterët vlerësojnë si nismë tejet të vyer Aleancën për Etikë në Media dhe përpjekjet e saj për të krijuar një platformë të vetërregullimit dhe për të përmirësuar etikën, që thonë se është një problem shumë serioz në Shqipëri.

“Reporterët pa Kufij” do të vazhdojnë të punojnë drejt përmirësimit të lirisë së medias në Shqipëri, duke nxitur zbatimin e rekomandimeve të bëra te autoritetet vendore dhe ndërkombëtare dhe duke bashkëpunuar me mediat vendase në mbështetje të besueshmërisë së informimit”, mbyll përgjigjen e tij për Gazetën Si, Pavol Szalai.

Duket se debati në distancë mes RSF dhe Kryeministrit Rama nuk ka për t’u shuar shpejt për aq kohë sa të dyja palët nuk duket se do të tërhiqen nga argumentat dhe qëndrimet e tyre. “Reporterët…” duke mbrojtur raportin dhe gjetjet e tij, dhe Rama duke mos e konsideruar atë. Të paktën jo si një raport real dhe pranë të vërtetës./Gazeta Si

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *