Kur u duk se zikaltrit mund të rrinin të qetë për qëndrimin e Milan Shkriniarit, lajmet që vijnë nga Franca janë më shumë se shqetësuese. Sipas “L’Equipe”, PSG-ja nuk ka hequr dorë nga mbrojtësi dhe po përgatit një tjetër ofertë për të bindur Interin, pas pauzës disa javore në kontaktet mes tyre. Operacioni për të cilin është diskutuar që në hapjen e merkatos ngeli pezull pas diferencës mes kërkesës prej 70 milionë eurosh të zikaltërve dhe ofertës që mbërriti deri në 60 milionë euro përfshirë edhe bonuset e parisienëve.
Francezët tentuan të tjerë emra gjatë kësaj kohe, por ende pa akord për asnjë prej tyre dhe këtë herë rikthimi i Shkriniarit në axhendë duket një tratativë më serioze se kurrë. Vetë lojtari kishte rënë dakord me PSG-në për një kontratë 5-vjeçare gjatë së cilës do të përfitonte 7.7 milionë euro në sezon plus bonuset, por po ashtu ai ka konfirmuar se është i lumtur edhe me qëndrimin tek Interi, ku mund të shkojë drejt rinovimit, pasi kontrata aktuale skadon vitin e ardhshëm.
Pra, asnjë pengesë nga ana e lojtarit për operacionin, me topin që tani u kalon klubeve. Inzagi kërkon ta mbajë qendërmbrojtësin e tij në Milano me patjetër, por drejtuesit e kanë paralajmëruar se nëse oferta mbërrin në 70 milionë euro, nuk do të ketë një përgjigje negative. Në pritje të propozimit zyrtar të PSG-së, shpresa e Marotës për të financuar merkaton është edhe Çelsi, që ende kërkon një shok reparti për Kulibalinë dhe që po monitoron prej kohësh situatën e interistit. Largimi i mundshëm i Milan Shkriniarit e bën edhe më të nevojshme ndërhyrjen në merkato për të përforcuar repartin defensiv. Interi, që ka mungesa të konsiderueshme edhe në rezervat e mbrojtjes, kërkon të afrojë lojtarë me një vlerë kartoni të ulët dhe tashmë është përqendruar në dy prej tyre.
I pari është Manuel Akanzhi, zvicerani i Borusia Dortmundit që është lënë jashtë skuadrës për javën e parë të kampionatit. 27-vjeçari ka një kontratë që skadon vitin e ardhshëm dhe situata rreth tij veçse e përshpejton largimin. Emri tjetër është ai i Françesko Açerbit, 34- vjeçarit të Lacios që Inzagi e njeh shumë mirë. Italiani është drejt largimit dhe eksperienca e tij çmohet shumë, për më tepër që mund të sigurohet vetëm me 5 milionë euro.