Publicistika në zi, shuhet gazetari dhe diplomati i njohur Ymer Minxhozi

Ymer Minxhozi, një emër i njohur i gazetarisë dhe publicistikës shqiptare ka mbyllur sytë sot në Tiranë në moshën 91 vjeçare. Gazetar, publicist e diplomat me stazh të gjatë, autor i mbi 20 librave me ese, satirë, shënime udhëtime dhe kujtime ka ndërruar jetë në banesën e tij.

Pasi ka mbaruar studimet në Moskë për gazetari në vitet ’50, ai ka qenë korrespondent i shtypit shqiptar në Kinë dhe vendet e Azisë Juglindore, e më pas ka drejtuar gjatë jetës së tij për shumë vite revistën “Shqipëria e Re”.

Ai  u emërua zëvendësdrejtor i Radio Tiranës (1958-1963). Gjatë kësaj periudhe ndikoi në lëvrimin e mëtejshëm të radio-reportazhit dhe ngritjes cilësore të emisioneve artistiko-kulturore radiofonike, duke dhënë shembull vetjak në përgatitjen e tyre.

Ymer Minxhozi ka përfaqësuar vendin tonë në disa kontakte diplomatike, kulturore e bisedime me vendet fqinje dhe ato evropiane.

Gazetar aktiv dhe i përkushtuar në profesionin e tij, Minxhozi ka qenë prezent me shkrimet e tij edhe pas viteve ’90, kohë gjatë të cilës ka botuar vëllimet “Borë e zezë”, “Shansi i humbur”, “Era e mykut”, “Ditari i tre kontinenteve” etj.

Ymer Minxhozi, një veteran i Luftës së Dytë Botërore, që në moshën 13-vjeçare ka marrë pjesë në Luftën Nacional Çlirimtare. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai morri pjesë në shumë punë vullnetare për ndërtimin e shtetit të pasluftës.

TAGGED:
Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *