Mbi 120 plumba automatiku janë shtënë në drejtim të mjetit të Bardhok Pllanajt, ku dhe ndërroi jetë në vend. Detaje të reja janë hedhur në dritë, lidhur me ekzekutimin mafioz të “Kumbarit”, ose të ‘fortit’ të Shkodrës. Mbi 20 plumba përfunduan në trupin e viktimës, duke e lënë të vdekur në vend. Kjo është një prej vrasjeve më të mirëorganizuara në Shkodër, dhe më të bujshmet e realizuar nga krimi i organizuar.
Skema
Një makinë tip “Pasat”, me targa italiane, ka pritur poshtë shtëpisë së tij në hyrje të rrugës Shkodër-Koplik shtetasin Bardhok Pllanaj, i cili sapo ka hipur në mjet, pas pak metrash, është qëlluar me breshëri automatiku. Janë dy persona, të cilët me automatik kallashnikov rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme kanë qëlluar drejt Bardhok Pllanajt, i cili ndodhej në një mjet tip “Range Rover”, ngjyrë e zezë.
Autorët e kanë qëlluar nga makina në ecje e sipër objektivin e tyre, duke e ndjekur për rreth 150 metra dhe duke mos e lënë që të lëvizë. Pasi ka humbur kontrollin e mjetit nga plumbat që ka marrë në trup, mjeti i viktimës është përplasur në oborrin e një pike ndërtimi, duke përfunduar aty. Autorët paralel me mjetin e 46-vjeçarit kanë qëlluar përsëri në drejtim të tij, duke u siguruar plotësisht se nuk ka pasur asnjë shans që të shpëtojë.
Mendohet se dy autorët kanë zbrazur të paktën nga dy karikatorë kallashnikovi me nga 32 plumba secili. Menjëherë pas vrasjes, autorët ende të paidentifikuar janë futur në një rrugicë dytësore pak metra nga vendi i ngjarjes në aksin Shkodër-Koplik, duke djegur mjetin e tyre dhe duke u larguar në drejtim të paditur.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, duke nisur hetimet paraprake për këtë vrasje të bujshme në Shkodër. Deri më tani nuk ka asnjë lloj dyshimi lidhur me autorët e mundshëm apo porositësit e kësaj vrasje, pasi ka një dyshim se ky ekzekutim mund të jetë bërë me pagesë.
Bardhok Pllanaj dyshohet se është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme në Shkodër, për larje hesapesh.
“Më datë 04.04.2021, rreth orës 21:10, në fshatin Dobraç i Ri, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër, duke udhëtuar me automjet është vrarë me armë zjarri shtetasi B. P. rreth 46 vjeç, banues në Shkoj i Ri. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli.
Në ndihmë të policisë lokale kanë shkuar dhe grupe të FNSH-së Shkodër. Veprimet po kryhen me grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.