Ekrem Rexhepi, Gent Rexhepi, Xhabir Salihu, Gentrit Jashari dhe Shkëlqim Kamer, janë 5 ‘monstrat’ të cilët kanë abuzuar seksualisht me 11-vjeçaren në Kosovë.
Mediat në Kosovë kanë publikuar së fundmi edhe fotot e abuzuesve të së miturës, ndërsa qytetarët kosovarë kanë paralajmëruar një protestë masive për këtë ngjarje tepër të rëndë.
Gjithashtu edhe në Tiranë ditën e sotme në orën 18.30 do të mbahet një protestë në sheshin ‘Nënë Tereza’, ku qytetarët dhe mjaft personazhe publikë të njohur pritet të kërkojnë drejtësi në mënyrë që dhunuesit ta marrin ndëshkimin e merituar.
Kujtojmë se policia e Kosovës ka vënë në pranga të 5 autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë, ku 3 prej tyre janë të mitur.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur më 27 gusht nga ora 17:30 deri në orën 00:30. Dhunimi i vajzës së mitur ka nisur në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një vend tjetër të panjohur.
Sipas dyshimeve të para, fillimisht tre të miturit, Gent Rexhepi, Xhabir Salihu, Gentrit Jashari, keqtrajtuan seksualisht vajzën e mitur, ndërsa më pas ka shkuar edhe 26-vjeçari Ekrem Rexhepi, të cilin e ka thirrur vëllai i tij Gent Rexhepi.
Në një zonë, 26-vjeçari ndaloi makinën në një tjetër vend dhe kreu marrëdhënie seksuale me të miturën. Në dëshminë që ka dhënë vetë ajo në polici, ka treguar se ishte në park kur iu afruan 3 persona duke e ngacmuar me fjalë. Ndonëse pretendon se nuk i ka kthyer përgjigje dhe ka vijuar rrugën e saj, njëri i është afruar dhe e ka prekur.
E mitura është dërguar në një qendër strehimore. Njëri nga autorët nuk është një emër i panjohur për policinë kosovare pasi mësohet se Ekrem Rexhepi ka qenë i akuzuar më herët për veprat penale “Vjedhja e rëndë”, “Vjedhja e pyllit” dhe “Dhuna në familje”.