Partia Demokratike ka zbuluar sot sloganin e protestës së 11 shkurtit. Protesta në fjalë u thirr pasi politika u përfshi nga debati në lidhje me çështjen ‘McGonigal’.
“Shqipërisë i dalim zot, pluralizimit, votës së lirë, demokracisë”, thuhet në sloganin që është zbuluar nga deputetja e PD-së, Ina Zhupa.
“Në dritën e fakteve të forta: Duke parë se Edi Rama është gati të rekrutojë agjentë të lartë të partnerit strategjik, SHBA, për të zhdukur opozitën e vendit, pluralizmin; duke qenë se ai përben një turp dhe rrezik për stabilitetin e vendit; duke qenë se ai po e shpopullon Shqipërinë; duke qenë se ai rri në pushtet me zgjedhje të vjedhura, me para të krimit dhe patronazhistë; duke qenë se ai sipas KLSH ka vjedhur në 9 muaj 1.1 mld euro të shqiptarëve. Ju ftojmë të bashkoheni më 11 shkurt ora 12:00, t’i dalim zot Shqipërisë, pluralizimit, votës së lirë dhe demokracisë së vendit tonë”, thuhet ndër të tjera në këtë slogan që do të udhëheqë opozitën në shesh më 11 shkurt.