Prokuroria e Shkodrës ka pezulluar nga puna sekretaren që zbuloi të dhënat sekrete në media për një rast ekstradimi nga Turqia për në Shqipëri të një shtetasi shqiptar.
Për pasojë prokuroria ka nisur njëkohësisht hetimet ndaj punonjëses K.G.
Njoftimi i policisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër ka regjistruar procedimin penal nr. 1506, datë 26.10.2022, për kryerjen e veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal, pas publikimit dhe shpërndarjes në disa media elektronike të një shkrese zyrtare të Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë pranë Prokurorisë së Përgjithshme dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, përmes së cilës është kërkuar përcjellja e dokumentacionit të nevojshëm me qëllim paraqitjen e kërkesës për ekstradimin nga Turqia për në Shqipëri të një shtetasi shqiptar.
Duke qenë se mbi shkresën e publikuar në media është konstatuar i shënuar numri hyrës i protokollit të regjistrit të Seksionit të Ekzekutimeve dhe Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, janë krijuar dyshime se ajo ishte fotografuar dhe më pas shpërndarë pas hyrjes në këtë institucion.
Në këto rrethana, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili ka kryer me përparësi një sërë veprimesh hetimore, si këqyrje e pamjeve të nevojshme filmike, pyetje dhe ballafaqim i personave me dijeni për veprën penale, këqyrje e aparatëve celularë etj.
Si rezultat i hetimeve të deritanishme, janë grumbulluar të dhëna që tregojnë se shkresa e publikuar në media është fotografuar fillimisht nga shtetasja K.G., me detyrë sekretare në Seksionin e Ekzekutimeve dhe Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, e më pas kaluar nga aparati i saj celular, shpërndarë dhe publikuar në media.
Ndaj shtetases K.G., është marrë menjëherë masa e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës në prokurori, ndërkohë që po procedohet edhe penalisht për kryerjen e veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal.
Gjithashtu, vijojnë hetimet për zbulimin dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në mbajtjen, shpërndarjen dhe publikimin e shkresës në fjalë dhe të të dhënave të tjera sekrete, me qëllim përcaktimin e plotë të faktit dhe të përgjegjësisë ligjore të secilit prej tyre.