Në një aksion të gjerë në të gjithë Gjermaninë, autoritetet gjermane doganore zbuluan shumë punëtore pa leje qëndrimi apo pune. Po ashtu u gjetën shkelje të punëdhënësve në lidhje me pagën minimale.
Vetëm në landin e Meklenburg-Pomeranisë u kontrolluan 610 vetë dhe në 48 raste u gjetën persona pa dokumente të rregullta që duhen verifikuar më tej. Në Hannover në një kantier ndërtimi nga 69 të punësuar, u gjetën 47 persona me dokumente të pasakta, që po ashtu do të kontrollohen më tej. Edhe në landin Renani Veriore-Vestfali u bënë kontrolle nga qindra punonjës të doganës. Në Köln nga 350 persona të kontrolluar në ndërtim u gjetën 30 vetë që punonin në të zezë. Pra gati çdo i dhjeti person. Shumica u gjetën në një kantier ndërtimi në Këln-Dojtc. Jens Ahland, zëdhënës i Doganës Qendrore të Kölnit tha se “bëhet fjalë të kontrollohet nëse punëtorët kanë lejen e punës, apo nëse marrin asistencë sociale dhe natyrisht nëse punëdhënësit e respektojnë dhënien e pagës minimale”.
Përmes punës ilegale shtetit gjerman i shkaktohet një dëm i madh financiar. – Vetëm vitin e kaluar u kontrolluan në 15.000 raste punëdhënësit e sektorit të ndërtimit. Në më shumë se 21.000 raste pati procedime hetimore vitin e kaluar. Dëmi i shkaktuar sipas doganës kapi shifrën e 375 milionë eurove. Të dhënat e mbledhura nga autoritetet doganore pas kontrollit të djeshëm (25.04.) do të verifikohen dhe një pjesë bëhen të ditura të mërkurën./dw