Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka dhënë urdhër që të gjithë punonjësit federal dhe kontraktorët qeveritarë të vaksinohen kundër Covid19.
Ndryshe nga muaji korrik ku ai e kishte lënë vaksinimin si zgjedhje të lirë dhe tha se të gjithë punonjësit të cilët nuk duan të vaksinohen duhet të bëjnë testime të shpeshta kundër Covid dhe të mbajnë maskën, këtë herë Biden e dha si urdhër të prerë pasi nuk mund të rrezikohet më.
Presidenti amerikan do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që do të mbulojë vaksinimin e miliona punonjësve federalë dhe kontraktorëve që bëjnë biznes me qeverinë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki u shpreh se sot pritet që Biden të dalë në një konferencë dhe të flasë për planet e reja për të vaksinuar më shumë njerëz, duke ulur numrin e infeksioneve dhe duke mbajtur shkollat të hapura.
Pak më shumë se 53% e amerikanëve janë plotësisht të vaksinuar, përfshirë pothuajse dy të tretat e popullsisë së rritur, sipas të dhënave të CDC. Kujtojmë se koronavirusi i ka marrë jetën më shumë se 651,000 qytetarëve amerikanë.
/Priza.al/