Procesi i punësimit është i vështirë dhe mbart sfida për këdo, por për personat me aftësi të kufizuara ky proces bëhet edhe më i vështirë. Agjenda “Askush të mos mbetet pas” (Leave No One Behind) është në fokusin e Vodafone Albania, i cili vazhdimisht ka kontribuar në mbështetje të personave në nevojë, veçanërisht personave me aftësi të kufizuara. Kështu, Vodafone Albania ka ndihmuar Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në projektimin e zyrës së parë digjitale të punësimit, për t’u ardhur në ndihmë dhe për t’u shërbyer sa më mirë këtyre personave, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga shërbimet e ofruara nga zyrat e punësimit.
Disa nga elementet e rëndësishme për ta bërë një zyrë të tillë të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara është vendosja në hyrje e një dere automatike, e një rampe sipas standardeve të përcaktuara, vendosja e ashensorëve etj. Ambientet janë transformuar, duke i bërë sa më të përshtatshme për lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara, falë hapësirave dhe sinjalistikës përkatëse.
Këtë zyrë, e cila është ende në proces transformimi, e vizituan CEO i Vodafone Europe, znj. Serpil Timuray, CEO e Vodafone Albania, znj. Katia Stathaki, në shoqërinë e drejtorit të përgjithshëm të AKPA, z. Klevis Hysa. “Vodafone Albania po krijon zyrën e parë digjitale të punësimit, e cila do t’u shërbejë njerëzve me aftësi të kufizuara. Kjo zyrë do t’i ndihmojë ata në kërkimin e një pune, por edhe në përmirësimin e aftësive të tyre digjitale. Kontrata Sociale e Vodafone është përpjekja jonë për të përmirësuar jetën e shqiptarëve”, u shpreh znj. Katia Stathaki, CEO e Vodafone Albania.
Përmirësimi i aksesibilitetit në zyrat e punësimit ndihmon Agjencinë e Punësimit, pjesë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që t’u ofrojë asistencën e saj personave me aftësi të kufizuara. Ka rreth 70,000 persona me aftësi të kufizuara në Shqipëri, nga të cilët 8,000 janë me aftësi të kufizuara në shikim e dëgjim.
Përdorimi i teknologjisë për gjithëpërfshirjen sociale është një nga synimet kryesore të Vodafone, pjesë e Kontratës Sociale të kësaj kompanie.