Punësimi i të burgosurve/ Qeveria përcakton kushtet, ja kriteret që duhet të plotësojnë dhe sa është paga që marrin

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave janë përcaktuar rregullat për punësimin e të burgosurve, kushteve të punës, kohëzgjatjen dhe shpërblimin për punën e kryer.

Sipas vendimit të miratuar sot nga qeveria, të burgosurit i garantohet e drejta për t’u punësuar brenda ose jashtë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve. Ndërsa të burgosurit që janë në Institucionet e sigurisë së lartë, i garantohet e drejta për t’u punësuar vetëm brenda Institucionit.

Tre janë mënyrat që një i burgosur mund të punësohet.
a) nga administrata e Institucionit;
b) nga persona juridikë privatë, brenda ose jashtë Institucionit;
c) nëpërmjet vetëpunësimit.

SHPALLJA E VENDEVE VAKANTE
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, jo më vonë se data 10 (dhjetë) janar e çdo viti, përcakton llojet e punëve që mund të kryejnë të burgosurit kur punësohen nga administrata e Institucionit, sipas buxhetit të miratuar për këtë qëllim. Në përcaktimin e llojeve të punëve që mund të kryhen nga të burgosurit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me qëllim përgatitjen e të burgosurit për integrimin në tregun e punës, sigurohet që lloji, natyra, organizimi si dhe metodat e punës, për aq sa është e mundur, të jenë të ngjashme me të njëjtën punë që kryhet jashtë Institucionit.

Bazuar në llojet e punës që mund të kryejnë të burgosurit, çdo Institucion, jo më vonë se data 20 (njëzet) janar e çdo viti, përcakton pozicionet e punëve dhe numrin e vendeve vakante për çdo pozicion, që mund të kryhen nga të burgosurit në atë Institucion. Pozicioni i punëve dhe numri i vendeve vakante për çdo pozicion i dërgohet për miratim Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila vendos miratimin, ndryshimin ose refuzimin e propozimit të drejtorit të Institucionit, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së propozimit.

Menjëherë pas miratimit të pozicioneve të punës dhe vendeve vakante për çdo pozicion, struktura përgjegjëse për punësimin në Institucion njofton çdo të burgosur për të drejtën për të paraqitur një kërkesë për t’u punësuar në një nga pozicionet e lira. Në të njëjtën kohë, pozicionet e punës si dhe vendet vakante për çdo pozicion shpallen edhe në ambientet e përbashkëta të të burgosurve, për të paktën 10 (dhjetë) ditë.

DOKUMENTACIONI QE DUHET TE PARAQESE I DENUARI
I dënuari ka të drejtë për të paraqitur kërkesë për punësimin e tij jashtë Institucionit, në rastet kur ai ka njohuri ose aftësi teknike ose profesionale të veçanta dhe ruajtja ose zhvillimi i këtyre aftësive mund të kryhet vetëm nëpërmjet punësimit në një person juridik privat jashtë Institucionit. Në këtë rast, i dënuari paraqet pranë drejtorit të Institucionit informacionet ose dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Formularin standard të kërkesës, sipas modelit të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve;
b) Ekstraktin që provon regjistrimin e personit juridik në regjistrin tregtar ose vendimin e gjykatës për regjistrimin si person juridik, në rastin e organizatave jofitimprurëse;
c) Certifikatën e regjistrimit në organin tatimor;
ç) Vërtetim nga gjykata, prokuroria, shërbimi i përmbarimit dhe organet tatimore, ku tregohet se personi i juridik privat nuk është në gjykim për kryerjen e një vepre penale, nuk është nën hetim ose nuk ka detyrime të pashlyera ndaj organeve tatimore dhe institucioneve të tjera publike;
d) Të dhënat për ruajtjen dhe sigurinë e të burgosurit gjatë punësimit të tij jashtë Institucionit;
dh) Informacion të detajuar për:
i. llojin e aktivitetit që kryen personi juridik privat, tek i cili do të punësohet;
ii. numrin e fuqisë punëtore të punësuar;
iii. nivelin e pagës që ai paguan për punëmarrësit e tjerë që kryejnë të njëjtën punë ose punë të ngjashme;
iv. profesionin për të cilin do të punësohen;
v. kohëzgjatjen e marrëdhënies së punës;
vi. llojin e kontratës që kërkon të zbatojë;
vii. nivelin e pagës që i është propozuar nga punëdhënësi;
viii. shpjegimin mbi llojet e njohurive ose aftësive teknike ose profesionale të veçanta që zotëron i dënuari si dhe shkaqet që diktojnë ruajtjen dhe zhvillimin e këtyre aftësive vetëm nëpërmjet punësimit jashtë Institucionit;
e) Të dhënat financiare të vitit të mëparshëm të personit juridik privat nëpërmjet pasqyrave financiare të vërtetuara nga organet tatimore, të cilat duhet të rezultojnë me fitim.

PAGA
Në rastet kur i burgosuri punësohet nga një person juridik privat, paga nuk mund të jetë më e ulët se paga minimale në shkallë vendi.

Në rastet e punësimit të të burgosurit me kohë të pjesshme, paga ose shpërblimi përcaktohet në kontratën individuale për orë pune ose sipas punës së kryer (pagë në njësi, në detyrë ose me komision), në varësi të llojit të punës, kushteve në të cilat kryhet dhe vështirësive të saj.

Në çdo rast, paga ose shpërblimi paguhet në një llogari të posaçme të të burgosurit, e cila administrohet nga i burgosuri, pas marrjes së pëlqimit të Institucionit.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *