Punonjësi i një karburanti në zonën e Lezhës ka zbuluar detaje të tjera në lidhje me lëvizjet e vrasësit Ruben Saraiva, i cili ekzekutoi biznesmenin Ardian Nikulaj.
Punonjësi ka treguar se më datë 19 prill rreth drekës ka qenë tek karburanti, kur ka ardhur një person me motor me drejtim lëvizje Lezhë-Milot dhe ka zbritur për të furnizuar motorin ngjyrë të errët, me targa të huaja, ndërsa personi ishte i veshur me pantallona blu të errët, një jelek si jeshile sipër xhupit, skafandër në kokë, një maskë që mbulonte gojën, doreza si ato të punës.
Në dukje ai ka deklaruar se mund të ishte i moshës mbi 40 vjeç, ndërsa punonjësi i është drejtuar duke i thënë “Ten lekë” pasi mbante një kartmonedhë të prerjes 2000 lekë të reja dhe ishte e zhubravitur.
Aty ka kuptuar se personi ishte shtetas i huaj, pasi edhe fjalën “Lekë” e shqiptonte me theks të huaj. Ai i ka hedhur 1000 lekë benzinë, e më pas personi është larguar.
Në dosjen hetimore, dyshohet se ekzekutori ka pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë për kryerjen e veprës penale të cilët duhet ta ndihmonin lidhur me informacion mbi viktimën, vendndodhjen e tij në kohë reale, mjetet me të cilat do përdoreshin në krim dhe bazën e strehimit dhe të fshehjes së mjeteve të përdorura.