Njëzet e nëntë vjeçari Alec Antignani hoqi dorë nga karriera e tij në sektorin e financave për të punuar në biznesin familjar si hidraulik, në Brooklyn të Nju Jorkut. Ai thotë se viti 2022 ishte një vit shumë i mirë financiarisht dhe ai pret rritje të mëtejshme në 2023.
Ndërsa ekonomia ka nevoja për punëtorë krahu, kompanitë e mëdha … veçanërisht ato të teknologjisë, që ishte zgjeruar ndjeshëm gjatë pandemisë Covid-19, sot po pushojnë punonjës.
Në janar, Google shkurtoi 12 mijë vende pune, Meta shkurtoi rreth 11 mijë në nëntor, ndërsa Microsofti shkurtoi 10 mijë vende pune në mars.
“Ajo që po përjetojmë tani është heqja e tepricës pasi kompanitë punësuan së tepërmi. Pra, në vend të zvogëlimit, një gjë që pritet të bëhet nga kompanitë gjatë kohërave të vështira, ato po riogranizohen në pritje të asaj që do të vijë”, thotë Giacomo Santangelo, pedagog i lartë i ekonomisë në Universitetin Fordham.
Disa ekspertë thonë se ajo që pritet të ndodhë është një “recesion jetëshkurtër”. Por sektorë të ndryshëm të ekonomisë do të preken në forma të ndryshme.
“Njerëzit do ta përjetojnë ekonominë në mënyra të ndryshme. Punëtorët e zyrave mund të përfshihen në një recesion që nuk do të ndjehet nga punonëtorët e krahut”, tha Giacomo Santangelo nga Universiteti Fordham.
Shkak për këtë është mungesa e punëtorëve në tregun e punëve fizike, e cila ka nxitur edhe rritjen e pagave.
Largimi nga puna i punonjësve të zyrave vjen pjesërisht si rezultat i ndryshimeve kulturore, thonë ekspertët.
Ekspertët thonë se kërkesa për punëtorë krahu dhe rritja e pagave të tyre mund të bjerë për shkak të ngadalësimit ekonomik, ndërsa kompanitë më të vogla të teknologjisë mund të përfitojnë nga punonjësit e kualifikuar që humbasin vendet e tyre të punës tek kompanitë e mëdha të teknologjisë./VOA