Pushimet në Jug/ 2 euro një ujë dhe 1 euro të shkosh në banjë. Ja pse po ikin shqiptarët për pushime në Greqi dhe miti i rremë i ‘grekut të poshtër’

Një autoveturë tip “Volkswagen Golf 6” me ngjyrë të zezë dhe me targa të huaja u ndal përpara një taverne në Jalë. Derën e pasme e hapi një burrë, shoferi, dhe prej saj mezi zbriti një grua e re, e pashme por me dy paterica dhe me njërën këmbë në hallçi.

Ajo mezi ecte dhe me mundim të madh i ngjiti ato tre shkallë të verandës së tavernës së mbuluar me kashtë, që në sfond kishte lënë një muzikë tekno me zë super të lartë.

Në tavernë atë paradite të nxehtë fund-korriku nuk kishte thuajse asnjë njeri, përveç Jorgos që ishte banakier, kamerier, pronar i lokalit dhe zot i truallit…

Ah po, ishte edhe Ihsan Maçi, një miku im dhe bashkëpunëtor i “Priza.al”, që kishte shkuar aty për disa ditë relaks dhe me që nuk para preferon të lahet në det që në mëngjes, po pinte gjithë qejf një frape të ftohtë me akull, servirur keq nga Jorgo.

Gruaja me paterica pasi arriti të ngjitej në verandën e tavernës me një shqipe me dialekt gegërisht pyeti plot mirësjellje se ku ishte tualeti… (?)

Atë e vështruan sytë e vëngër të Jorgos që si një “peshkaqen plak” ju afrua me nxitim me fytyrën e parruar, me kapelën e kashtës të shtypur nga anët që mbante në kokë, me kanatjeren bojëqielli plot vrima dhe me nuancë gri nga zhuli dhe ca harta të bardha nga djersa e tharë dhe me pantallonat e shkurtra të bardha me delfinë të pikturuar.

Jorgo zgjati turinjtë e tij dhe pasi lëshojë një grahmë hudhre dhe rakie bashkë prej thellësisë së gërmazit, e pyeti nxitimthi me toskërishten e tij të ashpër: “ça the o motra…?!”

“Më falni, po tualeti… ku ndodhet tualeti?”,- pyeti sërish gruaja e re dhe e pashme me paterica.

“A je për të ndenjur… për prenotim? Ku në ça hoteli rrini këtu…?!”,- ishte përgjigja e pyetjes “ku është tualeti?”, dhënë nga Jorgo.

“Jo jo, sapo kemi ardhur tani. Por dua të shkoj pak në tualet…”,- tha me zë të ulët dhe plot mirësi gruaja në dukje e rraskapitur nga udha e gjatë dhe e vështirë e Jugut, plot vapë e trafik.

“Ahaaaa… po kërkon tualet??!!”,- tha Jorgo i zhgënjyer dhe i nevrikosur nga përgjigja e marre nga gruaja.

“1 euro tualeti, për të bërë shurrën… ose nëse porosit për të ngrënë mund të shkosh…”,- i tha me vendosmëri Jorgo gruas me paterica.

“Jo jo. Nuk më pihet gjë. Faleminders… Po due me shku pak n’tualet”, – ishte përgjigja që mori Jorgo pasi bëri ofertën me çmimet e shërbimeve…

“Epo e ke 1 euro banjon… ja aty në anë e ke!”,- tha pronar Jorgo duke treguar me gisht nga shkohej për në WC-në e tavernës.

Burri që ngiste autoveturën dhe që sapo kishte nxjerrë edhe 3 fëmijët prej saj, arriti menjëherë dhe sapo dëgjojë turfullimin e Jorgos ndaj kërkesës së gruas, nxori portofolin nga çanta që mbante varur në qafë dhe pyeti baristin Jorgo.

“Sa lekë bën 1 euro?”, – tha burri që po nxirrte paratë dhe që me vete kishte edhe euro dhe Lekë shqiptare në portofol. “Një mijë lekë bën vllai…!”- ishte përgjigja e shpejtë e Jorgos që kapi “situatën”.

“Pse me sa asht euro? Me sa e merrni?”,- ishte pyetja e burrit. “S’ka gjë, ti nëm 1 mijë lekë dhe aq… po deshe futu edhe ti te banjo”,- ishte përgjigja e Jorgos për kursin e këmbimit euro-lekë shoqëruar me një ofertë bujare aty për aty për shurrëbërje në çift.

Por burri zotëri që po priste bashkëshorten e tij, i zgjati Jorgos një kartëmonedhë 200 lekëshe si etiketë shisheje uji me gaz dhe madje nuk priti që të merrte as kusur nga Jorgo, por vetëm po priste bashkëshorten që të dilte nga tualeti.

“Po hë keni ardhur për pushime? Do rrini…? Sa do rrini?! Ku do rrini këtu…??”,- pyeti Jorgo më tej sikur ti kishte “prerë kërthizën” zotërisë që i pagoi paratë për të shkuar në tualet.

“Po, për pushime kemi ardh, por… tani që e pash si është do ikim që sot!”,- tha buri pasi morri një herë frymë thellë për t’i kthyer Jorgos një përgjigje me mend.

Ndërkohë gruaja e re me paterica doli nga tualeti dhe pasi përshëndeti gjithë mirësjellje pronar Jorgon për “mundësinë e artë” që i dha… i kërkoi ndihmë bashkëshortit që të ngjitej në autoveturë.

Pa zbritur mirë shkallët gruaja që mezi ecte, Jorgo me zë të lartë edhe prej muzikës u drejtua nga miku im Ihsani dhe i tha me kraharorin e fryrë nga qejfi që kapi 200 lekë…: “Këta kosovarët mirë që vijnë këtu dhe nuk blejnë asgjë, por duan të shurrosin edhe pa lekë o vlla… na e bëjnë pis banjën! Pse mutin e tyre do lajmë ne?! Ouuu…”!

Por Ihsani, që sapo kishte rrufitur edhe fundin e frapesë aspak të shijshme të Jorgos, ia kthen aty për aty: “Po si mor teveqel, a nuk e pe…? Po ajo zonja ishte me paterica mor… Ç’të gjente ti hapje tualetin dhe ta lije?! Ça t’u bë?? Ma fute mua 4 euro frapeja dhe 2 euro një shishe ujë dhe tani mendon se mund të bësh me të gjithë kështu? Shiko si e ke… bosh lokalin! …dhe as të vjen njeri kështu, ta dish!!”.

Jorgo që nuk e priste këtë reagim nga miku im, mbeti pa fjalë një moment dhe pastaj tha… “epo iku tani ajo punë…! Po ti nga do shkosh?”,- pyeti më tej Ihsanin.

“Unë…?! Do nisem sot me familjen për në Lefkadha vlla. Kam vendos t’i harxhojë paratë e mia në Greqi. Të paktën aty shpenzoj gjysmat e saj që do më kushtonin 5 ditë këtu në Jalë. Jo nuk doni të bëni turizëm, por doni ti rripni njerëzit si piranjat që u hanë mishin kafshëve…!!! Hajt vlla, edhe kaq boll e kishe ti!”,- ishte përgjigja e Ihsanit që po atë ditë u nis të kalonte nga Qafë-Bota për në Igumenicë dhe e la Jorgon jo vetëm me “llapën brenda” por edhe me një therje të fortë në fund të barkut dhe me një “vrimë” që ju bë në stomak nga sikleti dhe turpi…

Me sa më tregoi më pas miku im, nga Parga, në Sivota, Zakynthos e deri në Preveza e Lefkadha, dhe në shumë zona të tjera të asaj që njihet si Riviera Greke, por që në fakt është vetëm një pjesë e Shqipërisë së dikurshme të quajtur Çamëri, grekët që bëjnë turizëm u rijnë me dorë në zemër pushuesve, qofshin këta edhe shqiptarë.

Aty siç më tregoi miku im një shishe ujë kushton vetëm 50 cent në supermarket, pasi në lokale uji jepet falas edhe po nuk porosite asgjë. Ndërkohë një vend parkim në Parga kushton vetëm 2 euro/dita edhe pse ka mjaftë që janë pa pagesë. Një dhomë hoteli kushton 50 euro por të japin edhe mëngjes të bollshëm, si dhe çdo vakt nuk shkon më shumë se 50 euro për 4 persona.

Pra le ta bëjnë vetë llogarinë dhe diferencën të gjithë ata që duan të shkojnë me pushime në Jug të Shqipërisë, apo në Veri të Greqisë, aty ku shërbejnë “grekët e poshtër”.

P.S. kjo që mund t’ju duket si një “histori e bukur vere” është një ngjarje e përjetuar realisht në Jalë, vetëm pak ditë para se të hynte gushti.     

/Priza.al/

  

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *