Historiani ushtarak britanik Antony Beevor e sheh Rusinë si një “të burgosur të së kaluarës së saj. Në një intervistë për “Der Spiegel”, historiani thotë se pushtimi i Putinit në Ukrainë i kujton atij sulmet e dikurshme të ushtrisë sovjetike dhe ndalet tek gabimet e rënda të ushtrisë ruse.
Beevor, sot 76-vjeç, ka shërbyer për shumë vite si oficer në ushtrinë britanike, dhe për disa vite ka qenë me mision në Gjermani. Ai ka shkruar 12 libra historie, kryesisht mbi historinë ushtarake ruse dhe atë sovjetike.
Më poshtë, abcnews.al sjell të plotë në shqip intervistën e tij për “Spiegel”:
Profesor, a shihni ndonjë ngjashmëri midis Ushtrisë së Kuqe Sovjetike të Luftës së Dytë Botërore dhe “operacionit ushtarak special” të Putinit në Ukrainë?
Së pari duhet të mos harrojmë se Rusia e Putinit nuk është një zgjatim i Bashkimit Sovjetik, dhe ushtria e sotme ruse nuk është më Ushtria e Kuqe, dhe kjo e bën krahasimin edhe më interesant. Sepse të dyja janë shumë të ndikuara nga e kaluara.
Unë mendoj se asnjë vend nuk është aq i burgosur i së kaluarës së tij sa Rusia, dhe këtë e tregon edhe vizioni i shtrembëruar i historisë që propagandon Putin. Fiksimi i tij pas “Luftës së Madhe Patriotike” kundër Gjermanisë së Adolf Hitlerit, e ka nxitur atë të bëjë gabime të jashtëzakonshme në pushtimin e Ukrainës, duke përsëritur në mënyrë të çuditshme gabimet e së kaluarës.
Për shembull?
Fiksimi i Putinit jo vetëm që e ka futur retorikën e tij politike me autokontradikta të çuditshme, por ka ndikuar edhe në qasjen e tij ushtarake. Me sa duket, ai e sheh ende tankun si simbolin dhe armën më të fuqishme të ushtrisë që nga epoka e fitores sovjetike në luftë, edhe pse tashmë ishte dëshmuar se ai ishte shumë i prekshëm ndaj dronëve dhe armëve antitank në Libi, madje edhe në Nagorno-Karabakh.
Çuditërisht u harruan edhe leksionet kryesore nga betejat e Stalingradit dhe Berlinit. Në prillin e vitit 1945, Marshalli Georgy Zhukov, dërgoi nën presionin e madh të Stalinit ushtritë e tij të tankeve në Berlin pa mbështetjen e këmbësorisë.
Forcat e Putinit bënë jo vetëm të njëjtin gabim, por madje e kopjuan edhe mënyrën se si ushtritë e Tankeve të Gardës u bashkëngjitën tankeve copa hekurit të çuditshme, me shpresën se kjo do t’i mbronte nga armët antitank. Por kjo nuk i shpëtoi jetën ekuipazhit të tankeve ruse gjatë avancimit drejt Kievit. Ajo vetëm sa i nxiti akoma më tej sulmet guerile të trupave ukrainase, ashtu siç bënë grupimet e Rinisë Hitlerike dhe SS me armët antitank Panzerfaust në Berlin.
Ju keni folur edhe për faktorë të tjerë, që e bëjnë sulmin e Putinit ndaj Ukrainës të duket si shumë primitiv, siç është shkatërrimi masiv i qyteteve…
Një model tjetër që shfaqet në Ukrainë, është mbështetja e ushtrisë ruse tek armët e rënda. Në Luftën e Dytë Botërore, Ushtria e Kuqe mburrej me fuqinë e artilerisë së saj, të cilën ata e quajtën “Zoti i Luftës”. Në operacionin për pushtimin e Berlinit, artileria e Zhukov qëlloi me më shumë se 3 milionë predha, duke shkatërruar më shumë pjesë të kryeqytetit sesa ofensiva strategjike ajrore e aleatëve në Perëndim. Edhe shkatërrimi i Groznit në Çeçeni dhe Alepos në Siri, zbuloi se sa pak ka evoluar doktrina ruse e konfliktit urban që nga Lufta e Dytë Botërore, në kontrast me forcat e armatosura perëndimore.
A është në këtë aspekt i ngjashëm brutaliteti i Putinit me atë të Stalinit?
Trajtimi që i bën Putin popullit të tij është po aq i pamëshirshëm sa edhe ndaj armiqve të tij, gjë që është një kujtim rrëqethës i epokës së Stalinit. Madje ushtria ruse përdori një krematorium të lëvizshëm për të asgjësuar viktimat në vend, duke zvogëluar numrin e trupave të pajetë që kthente në Rusi.
Në vitin 1945, Ushtria e Kuqe u përball me një numër rebelimesh të nxitura nga një shpërfillje e ngjashme për ndjenjat e trupave të tyre dhe ato të familjeve të tyre. Ushtarët u urdhëruan të depërtonin natën në zonën midis 2 fronteve, jo për të marrë trupat e shokëve
të vrarë, por për t’i zhveshur dhe marrë uniformat, që do të përdoreshin nga trupat zëvendësuese. Një poshtërim i tillë solli zemërimin dhe zhgënjimin e tyre. Dhe ky frustrim u derdh mbi civilët në Gjermani, Poloni, Hungari dhe gjetkë.
A ka arritur Putini i frymëzuar ndoshta nga historia e Ushtrisë së Kuqe në përfundimin se një ushtri çnjerëzore, është një forcë më e mirë luftarake? Shumë analistë sugjerojnë se mizoritë që kemi parë në Bucha dhe gjetkë në Ukrainë, janë pjesë e planit të tij?
Putini dëshiron që e gjithë bota ta ketë frikë, ashtu si Stalini dhe Hitleri dikur. Ai është i vendosur që trashëgimia e tij të jetë rindërtimi i perandorisë ruse siç ka qenë dikur gjatë epokës sovjetike. I bindur se Perëndimi liberal është dekadent dhe i dobët, ai besonte se tronditja dhe frika do të sillnin përmbushjen e synimeve të tij.
Kjo ishte ajo që mendoi edhe Hitleri në vitin 1941 përpara se të niste pushtimin e Bashkimin Sovjetik, kur tha:“Shkallmoni derën dhe do të shembet e gjithë struktura e kalbur”. Kjo më shumë është mendësia e gabuar e diktatorit sesa ajo e një gjenerali profesionist. Në të dyja rastet, mizoritë nxitën një rezistencë shumë më të ashpër, dhe jo dorëzimin.
Cila është përshtypja juaj e përgjithshme mbi gjendjen e ushtrisë ruse?
Me përjashtim të forcave speciale të Spetsnaz dhe njësive të parashutistëve, ushtria ruse nuk është profesioniste, pasi ajo bazohet kryesisht tek një numër i madh rekrutësh që janë ngurrues dhe jo shumë të kthjellët mbi atë që duan të bëjnë. Në disa vite, trajtimi i ashpër ndaj tyre ka shkaktuar vetëvrasjen e mijëra të rinjve.
Edhe pse Putin ka investuar shumë para për ushtrinë, që ta përmirësojë atë që nga pushtimi kaotik i Gjeorgjisë në vitin 2008, rezultati nuk ka qenë mbresëlënës. Për shembull sistemi i ri i komunikimit në fushën e betejës ka rezultuar një katastrofë.
Kjo i ka detyruar oficerët rusë të komunikojnë me telefonat e tyre celularë, dhe forcat ukrainase kanë përfituar shumë duke i përgjuar në çdo moment. Joefektive kanë rezultuar edhe shumë sisteme të tjera, në shumë raste për shkak të korrupsionit endemik në të gjithë sistemin e blerjes së armëve.
Shkrimtari rus Vasily Grossman, shkroi dikur: “Dhuna ekstreme e sistemeve totalitare, ishte në gjendje ta paralizonte shpirtin e njerërzve në të gjitha kontinentet”. A kemi sot një kërcënim të ngjashëm?
Duke supozuar me vetëkënaqësi pas rënies së Bashkimit Sovjetik, se kërcënimi i totalitarizmit ishte bërë i paimagjinueshëm, dhe sidomos me përhapjen e globalizmit ekonomik dhe kulturor, Perëndimi liberal po përballet tani me një rënie, madje ndoshta edhe me një kolaps të besimit tek demokracia parlamentare.
Rezistenca heroike e Ukrainës, është ndoshta e vetmja shpresë se ne do të njohim në kohë rreziqet e rrëshqitjes së përgjithshme drejt autoritarizmit në një botë gjithnjë e më manikeane, pra me rivalitet midis dy blloqeve të pushtetit që përballen me njëri-tjetrin.