Presidenti rus Vladimir Putin, ka thënë se Perëndimi mund të ndihmojë në përfundimin e luftës në Ukrainë duke ushtruar më shumë presion mbi Presidentin Zelensky dhe duke ndaluar dërgesat e armëve në Ukrainë.
Putin i bëri këto deklarata gjatë një bisede telefonike me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Udhëheqësi francez përsëri bëri thirrje për një armëpushim dhe për bisedime për t’i dhënë fund luftës së shkaktuar nga pushtimi rus.
Ai i kërkoi Putinit të lejojë evakuime të mëtejshme në qytetin e Mariupolit.
Qindra civilë besohet se mbetën të bllokuar nën rrënojat e një punishteje çeliku të mbajtur nga forcat ukrainase.
Shtetet perëndimore e kanë armatosur gjerësisht Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë dhe të martën Mbretëria e Bashkuar njoftoi një furnizim të ri me pajisje ushtarake që arrijnë vlerën e 300 milionë paund, duke përfshirë automjete të blinduara, një sistem radar, bllokues GPS dhe pajisje për shikim natën.
Mijëra njerëz, si ushtarë ashtu edhe civilë, janë vrarë ose plagosur që nga pushtimi më 24 shkurt dhe më shumë se 5.5 milionë persona janë larguar jashtë vendit si refugjatë.
Forcat ruse janë tërhequr nga rajoni i kryeqytetit Kiev për të fokusuar operacionet e tyre në Ukrainën lindore.
Duke bërë thirrje për ndalimin e furnizimeve me armë, Putin akuzoi forcat ukrainase për kryerjen e krimeve të luftës duke bombarduar qytete në Ukrainën lindore ku separatistët e mbështetur nga Moska kontrollojnë zona të mëdha, sipas një deklarate të Kremlinit.
Sipas një deklarate të Pallatit Elysee, Macron i bëri thirrje Putinit t’i jepte fund luftës dhe tha se ishte i gatshëm të ndihmonte në arritjen e një zgjidhjeje të negociuar të konfliktit që respektonte sovranitetin e Ukrainës, shkruan BBC.
Presidenti francez, i cili fitoi rizgjedhjen muajin e kaluar, ka folur me Putin disa herë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.