Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përsëritur të shtunën mbështetjen e fuqishme për Kievin teksa e lufton pushtimin rus, dhe ka paralajmëruar që Kremlini nuk do të ndalet në Ukrainë, nëse fiton.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka pasur me presidentin francez, Emmanuel Macron në Paris.
Presidenti rus, Vladimir “Putin nuk do të ndalet në Ukrainë… E gjithë Evropa është e kërcënuar. Ne nuk do të lejojmë të ndodhë diçka ashtu”, ka thënë Biden.
“Shtetet e Bashkuara janë duke mbështetur Ukrainën. Nuk do ta braktisim, e përsëris”.
Macron e ka falënderuar Bidenin për këto qëndrime.
“Faleminderit zoti president, që jeni president i fuqisë më të madhe të botës dhe që e kryeni këtë detyrë me besnikërinë e një partneri që respekton evropianët”.
Macron e ka mirëpritur Bidenin në Paris, duke konsideruar që vizita e zyrtarit të lartë amerikan shpërfaq lidhjet e fuqishme mes dy shteteve për çështjet e sigurisë globale.
Biden është pritur me nderime të larta dhe dy presidentët më pas kanë kryer homazhe te ushtarët e rënë gjatë luftës, si dhe janë takuar me veteranë të Luftës së Dytë Botërore.
Ceremonia zyrtare ka nisur në Harkun e Triumfit në Paris.
Më pas, të dy, bashkë me zonjat e para, janë nisur drejt Pallatit Elysee për një drekë pune.
Biden është në Francë prej 5 qershorit, dhe bashkë me Macronin, kanë marrë pjesë në 80-vjetorin e zbarkimit të trupave ushtarake të forcave aleate në Normandi, veprim që më pas ka rezultuar me mposhtjen e nazizmit në Luftën e Dytë Botërore.
Përgjatë përkujtimit të ngjarjeve historike, Biden ka bërë thirrje për mbrojtje të demokracisë në vendin e vet dhe përtej.