Vladimir Putin ka sulmuar ashpër vendet perëndimore, duke thënë se janë shumë pranë kryerjes së krimeve kundër njerëzimit, duke u mësuar fëmijëve që nuk ka asnjë problem po të ndryshosh gjini.
Presidenti rus, duke folur në Soçi, tha se është “afër krimit kundër njerëzimit” që djemtë dhe vajzat e reja të mësojnë se si të bëhen transgjinorë.
Udhëheqësi i Kremlinit tha: “është e tmerrshme kur fëmijëve në Perëndim u mësohet ideja se një djalë mund të bëhet vajzë”, duke pretenduar se rrezikon të shkatërrojë jetën e një brezi fëmijësh.
“Njerëzit që guxojnë të thonë se burrat dhe gratë ekzistojnë ende si fakt biologjik, thuajse përjashtohen. Pa përmendur se është thjesht monstruoze që fëmijëve sot u mësohet që në moshë të re, që një djalë mund të bëhet lehtësisht vajzë dhe anasjelltas. Kjo thjesht anon drejt krimeve kundër njerëzimit, nën flamurin e progresit”, tha Putin në një takim të zhvilluar në Soçi të enjten në mbrëmje, raportoi “Moscow Times”.
Putin tha se Rusia shërben në këtë moment si një kundërpeshë e kulturës së fshirjes që po ndodh në Perëndim, ku lufta për barazi dhe kundër diskriminimit po kthehet në absurditet. “Këtu në Rusi njerëzit as që duan t’ia dinë se çfarë ngjyre ka lëkura e një personi”, tha Putin.
Putin është përballur rregullisht me kritika për goditjen e tij ndaj komunitetit LGBT në Rusi, ku martesat e të njëjtit seks dhe ‘propaganda homoseksuale’ janë të ndaluara.
Ajo vjen pasi martesat e të njëjtit seks në Rusi u ndaluan zyrtarisht kur ndryshimet e bëra në kushtetutën ruse në korrik 2020 hynë në fuqi në fillim të këtij viti. Kushtetuta e Rusisë tani thotë se martesa mund të ekzistojë vetëm midis një burri dhe një gruaje, dhe gjithashtu i pengon transgjinorët të birësojnë fëmijë.
/Burimi: Daily Mail/ Përshtati: Priza.al/