Putin shpall gjendje lufte në katër rajonet e aneksuara ukrainase

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se ka shpallur gjendje lufte në rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës, duke u dhënë fuqi shtesë krerëve të rajoneve të Rusisë.

Këto katër rajone ukrainase Moska pretendon se i ka aneksuar.

“Kam nënshkruar dekretin për shpalljen e gjendjes së luftës në këto katër subjekte të Federatës Ruse”, tha Putin gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, që u transmetua drejtpërdrejt.
Kremlini më pas publikoi dekretin ku thuhet se gjendja e luftës do të hyjë në fuqi mëngjesin e 20 tetorit.

Putin nuk tregoi se çfarë hapash konkretë do të ndërmerren pas shpalljes së gjendjes së luftës.

Dekreti i tij u jep agjencive të zbatimit të ligjit tri ditë afat për të paraqitur propozime specifike.

“Ne po punojmë që të zgjidhim çështjet e vështira që të mbrojmë sigurinë e Rusisë dhe të garantojmë të ardhme të sigurt, të mbrojmë njerëzit tanë”, tha Putin.

“Ata që janë në vijat e luftës ose janë duke u trajnuar për luftë në qendrat trajnuese, duhet ta ndjejnë mbështetjen tonë dhe duhet të dinë se kanë pas vetes shtetin dhe popullatën”, shtoi ai.

Dhoma e Lartë e Parlamentit rus pritet të mblidhet shpejt për të miratuar vendimin e Putinit për shpalljen e gjendjes së luftës. Pritet që kjo masë të përfshijë kufizimin e udhëtimeve dhe tubimeve publike, por edhe dhënien e fuqive më të mëdha për autoritetet e zbatimit të ligjit. Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Pasi Moska mbajti referendume të rreme në katër rajonet ukrainase, më 30 shtator Putin nënshkroi dekretin për aneksimin e tyre. Kievi dhe Perëndimi e kanë cilësuar vendim të paligjshëm aneksimin e katër rajoneve ukrainase, që janë pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse./rel

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *