Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi të hënën më shumë kufizime në jetën publike, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Sipas një dokumenti të publikuar në ueb-faqen e Kremlinit, restorantet, baret dhe klubet duhet të mbyllen midis orës 23:00 dhe 6:00 të mëngjesit.
Putin po ashtu tha se punëtorët që vaksinohen, duhet të kenë dy ditë pushim nga puna.
Ndërkohë, nga e hëna, gjashtë rajone të Rusisë nisën periudhën e mospunës, që do të zgjasë deri më 7 nëntor.
Nga e shtuna, java e mospunës do të nisë në të gjithë Rusinë.
Putin tha se punëtorët duhet të paguhen gjatë ditëve të mospunës.
Rusia ka numrin më të lartë të viktimave nga koronavirusi në Evropë – 227,506 – dhe të katërtin më të lartë në botë, pas Shteteve të Bashkuara, Brazilit dhe Indisë.
Sipas statistikave zyrtare, të hënën në Rusi u konfirmuan mbi 37,900 raste të reja të të infektuarve – më shumë se kurrë më parë.
Autoritetet raportuan edhe 1,069 viktima në 24 orët e fundit.
Vetëm 35 për qind e popullsisë gati 146-milionëshe të Rusisë është vaksinuar plotësisht./REL