Kremlini tha se Presidenti Vladimir Putin vëzhgoi nga distanca të mërkurën stërvitjet e forcave strategjike bërthamore, që synojnë të simulojnë përgjigjen ndaj një “sulmi masiv bërthamor”.
Televizioni shtetëror rus shfaqi pamje ku shihet zoti Putin duke vëzhguar stërvitjet në një ekran të madh televiziv, me komente nga udhëheqësit ushtarakë. Në transmetimin televiziv, Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu tha se stërvitjet përfshinin një nëndetëse bërthamore, avion me rreze të gjatë veprimi dhe praktimi i lëshimit të disa raketave balistike dhe të telekomanduara.
Shtëpia e Bardhë tha të martën se Rusia kishte njoftuar se do të organizonte stërvitjet vjetore të quajtura “Grom” ose “Gjëmimi”. Ato vijnë pasi NATO-ja filloi të hënën stërvitjen e saj vjetore bërthamore, të njohur si “Steadfast Noon”.
Stërvitjet vijnë gjithashtu pasi zyrtarët rusë kanë pretenduar për disa ditë se Ukraina po planifikon të zhvillojë dhe të përdorë një të ashtuquajtur “bombë të pistë” në konfliktin e saj me Rusinë.
Bomba të tilla përdorin eksplozivë konvencionalë të kombinuar me materiale radioaktive dhe janë ndërtuar në mënyrë të tillë për të përhapur radioaktivitet që mund të shkaktojë vdekje dhe shkatërrime masive.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së i diskutoi akuzat e Rusisë në një takim me dyer të mbyllura të martën.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë i kanë mohuar me forcë akuzat dhe dyshojnë se ato po bëhen si pretekst për një lloj përshkallëzimi të luftës në Ukrainë.
Duke folur të mërkurën nga selia e aleancës në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i quajti akuzat “absurde” dhe “të pavërteta” dhe paralajmëroi Rusinë të mos përdorte pretekste të rreme për të përshkallëzuar më tej luftën.
Presidenti Joe Biden bëri një paralajmërim të ngjashëm të martën. Kur u pyet nga një gazetar nëse mendonte se Rusia po i përdorte akuzat për “bombën e pistë” për krijuar premisat që ta përdorte vetë bombën dhe të akuzonte Ukrainën, Presidenti Biden tha se, “Rusia do të bënte një gabim tepër të rëndë në përdorimin e armëve bërthamore taktike”.
Presidenti Biden do të presë në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën në mbrëmje Presidentin Isaac Herzog të Izraelit. Zoti Herzog ka lënë të kuptohet se ka në plan të ndajë me presidentin amerikan të dhëna të zbulimit në lidhje me dronët iranianë që përdoren nga forcat ruse në Ukrainë.
Zyra e Presidentit Herzog tha se Izraeli ka imazhe që tregojnë ngjashmëri mes dronëve të rrëzuar në Ukrainë dhe atyre të testuar nga Irani në vitin 2021. Ukraina dhe partnerët e saj perëndimorë kanë thënë se në sulmet e fundit ruse me dron në qytetet ukrainase, përfshirë Kievin, u përdorën edhe dronët Shahed-136 të prodhuar nga Irani.
Irani ka mohuar të ketë furnizuar Rusinë me dronë, ndërsa nga ana tjetër Kremlini ka mohuar përdorimin e tyre në Ukrainë.