Pak më shumë se 3 orë është marrë në pyetje në SPAK kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta. Për 180 minuta Meta ka dhënë përgjigje për çdo lidhje për aferën CEZ-DIA, një histori privatizimi dhe abuzimi që i kushtoi vendit 414 milionë euro dëm. Meta është akuzuar vazhdimisht se ka përfituar miliona nga kjo aferë, sidomos me lidhjet me Kastriot Ismailajn, por së fundmi një dëshmi e Elvis Matës, një ish drejtor në DIA dhe ish drejtues i LRI-së në vitin 2005, mund t’i ketë qartësuar gjërat për prokurorët e SPAK. Burime bëjnë me dije se Mata mund të jetë bërë ‘bashkëpunëtor i drejtësisë’. Vetë Meta e quajti ‘mashtrues ordiner, të cilin LSI e ka përjashtuar që në vitin 2005’.
“Pa asnjë diskutim, nuk ekziston asnjë akt, asnjë dokument që Ilir Meta në çdo lloj detyre të ketë favorizuar ndonjë kompani. Faktet tregojnë qartë se Ilir Meta ka mbrojtur vetëm interesin publik. Bashkëpunëtor dihet se kush është! Fuga. Ai bën portalet dhe ata bëjnë kallëzimet. Mund t’ju them se përgjigjen më të shkurtër e kam dhënë për këtë person, mashtrues, të përzënë nga LRI që në 2004-2005 (Matën). Kushdo që ka probleme me drejtësinë, mund të marr status. Është i autorizuar SPAK që ta përdorë përgjigjen time, gjithçka është mashtrim ordiner. Këtu janë mal dosjet dhe kallëzimet e bëra, edhe nga unë. Për mld. euro që i kushtojnë qytetarëve shqiptarë dhe shumë të tjerëve dëme.”, tha Meta.