Qarkullimi me letërnjoftime/ Nis zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi

Ishte vendim që do të niste zbatimin më 1 gusht, por për shkak të rebelimit të disa serbëve në veri të Kosovës dhe me sugjerimin e bashkësisë ndërkombëtare, qeveria e shtyu atë për 30 ditë.

Kështu të dërguarit special për dialog të  Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak dhe të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar arriten  më 27 gusht  një marrëveshje që fliste për qarkullimin me letërnjoftime. Marrëveshje kjo  e cila u vu në zbatim mesnatën e sotme .

Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, sa i përket dokumenteve për hyrje-dalje hyri në fuqi këtë mesnatë dhe u mundëson qytetarëve të të dyja vendeve të mund të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime.

Deri tani, situata raportohet të jetë e qetë, dhe pa ndonjë incident.

Nga pika kufitare në Bërnjak, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, konfirmoi zbatimin e marrëveshjes.

“Mund të konfirmoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe nga pikat kufitare në Merdare, në Dheun e Bardhë dhe në Muçibabë. Në Jarinjë, ende nuk e kemi ndonjë veturë, e cila ka kaluar, por realisht mund të konkludojmë se autoritetet e Serbisë e kanë ndërprerë lëshimin e fletëve për hyrje-dalje për shtetasit tanë Ky është një lehtësim i madh për shtetasit tanë, të cilët udhëtojnë për apo nëpër Serbi”-  tha Sveçla.

Pranë pikave kufitare qëndrojnë në gatishmëri pjesëtarë të KFOR-it, por situata e sigurisë në veri mbetet e qetë.

Ndërsa deri më 31 tetor, pra për 61 ditë, do të vazhdojë fushata për konvertimin e targave. Autoritetet e Kosovës kërkojnë që targat t’i konvertojnë për Republikën e Kosovës. Bëhet fjalë për 10 mijë targa që lëshohen nga Serbia. Marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje, ende nuk ka.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *